Kriza institucionale dhe loja e fajësimeve
Shkruan: Jetmira Rexhepi
Kanë mbetur edhe dy ditë si afat ligjor për propozimin e emrit të presidentit, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës pas dekretit të presidentes Vjosa Osmani.
Ndërkohë, ky moment vendimtar po e gjen skenën politike të përçarë dhe pa një vullnet të qartë për kompromis.
Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, përmes deklaratave në media, po kërkon që opozita të propozojë një për president, duke e fajësuar atë për mungesë bashkëpunimi dhe përgjegjësie për situatën e krijuar politike.
Megjithatë, një qasje e tillë duket më shumë si përpjekje për të zhvendosur përgjegjësinë sesa për të gjetur një zgjidhje reale.
Në politikë nuk ka lëmoshë. Ajo është një garë e fortë për pushtet dhe për mbledhjen e votave, ku çdo subjekt synon realizimin e qëllimeve të veta. Në këtë kontekst duket se kryeministrit nuk po i mjaftojnë as përfaqësuesit që ka, pasi nuk po arrin të sigurojë një konsensus për një të përbashkët për president.
Retorika e përdorur në të kaluarën, ku kundërshtarët politikë janë etiketuar me gjuhë fyese, sot po kthehet si barrë politike. Historia ka treguar se arroganca në politikë ndëshkohet, dhe mungesa e bashkëpunimit e vështirëson ndërtimin e një lidershipi të qëndrueshëm për një shtet si Kosova.
Një element i rëndësishëm në këtë zhvillim është edhe raporti mes Kurtit dhe Osmanit. Edhe pse ajo dikur ka qenë mbështetëse e fortë e tij dhe kontribuese në fitoren zgjedhore, sot raportet mes tyre janë të tensionuara. Kjo tregon se në politikë aleancat janë të përkohshme dhe shpesh të varura nga interesat momentale.
Për më tepër, përfshirja e emrave dhe simboleve të ndjeshme kombëtare, si Familja Jashari, në diskursin politik është e papranueshme dhe dëmton unitetin shoqëror, duke tejkaluar kufijtë e debatit të shëndetshëm politik.
Mungesa e investimeve të huaja dhe pasiguria politike janë pasoja direkte të kësaj klime. Nëse nuk arrihet një marrëveshje, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, të cilat përveç kostos së lartë financiare (rreth 10 milionë euro), do të thellonin edhe më shumë krizën institucionale.
Nga ana tjetër, iniciativa e Osmanit për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit, duke propozuar zgjedhje të drejtpërdrejta nga populli, është parë ndryshe nga aktorët e ndryshëm: për disa si reformë demokratike, për të tjerët si kalkulim politik për rikthim në skenë.
Brenda Lëvizjes Vetëvendosje, pakënaqësitë e brendshme dhe raportet e paqarta me aleatët kanë shtuar pasigurinë politike. Edhe marrëdhëniet me Lidhjen Demokratike të Kosovës mbeten të brishta, duke reflektuar mungesë besimi dhe stabiliteti në bashkëpunim.
Në fund, e gjithë kjo situatë ngre një pyetje thelbësore: a po zhvillohet gara politike në interes të qytetarëve, apo thjesht në funksion të egove dhe interesave të ngushta politike? Derisa mungon kompromisi, rreziku për një kolaps institucional mbetet real, dhe qytetarët janë ata që paguajnë koston më të madhe.

