Ademi: Një dekadë në UEFA e FIFA, rrugëtimi i pandalshëm drejt ëndrrës së madhe
3 maji është një nga datat më të rëndësishme të futbollit kosovar.
Kjo pasi që Kosova, shënoi 10-vjetorin nga pranimi me të drejta të plota në UEFA si anëtari i 55-të në samitin e famshëm të Budapestit.
Me 28 vota për dhe 24 kundër, ishin të mjaftueshme që Kosova të pranohej aty.
Rreth kësaj ngjarje historike, bëri një postim në “Facebook”, kryetari i FFK-së Agim Ademi.
“Këtë maj, Kosova shënon një moment të paharrueshëm në historinë e saj: 10-vjetorin e anëtarësimit në UEFA dhe FIFA. Dy data brenda të njëjtit muaj, me peshë të jashtëzakonshme historike. Një jubile që përbën gur-themelin e historisë moderne të futbollit tonë dhe një kapitull të rëndësishëm në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Më 3 maj 2016, në Kongresin e Budapestit, u mbyll një epokë izolimi dhe u hapën dyert e familjes evropiane. Sakrifica e gjatë u shndërrua në krenari, ndërsa shpresa mori formë konkrete në arenën ndërkombëtare të futbollit. Vetëm dhjetë ditë më vonë, më 13 maj 2016, në Kongresin e FIFA-s në Mexico City, Kosova u pranua edhe në familjen botërore të futbollit. Në kongresin e parë të presidentit aktual Gianni Infantino, Kosovës iu dha mirëseardhje zyrtare, duke vulosur një moment historik të pakthyeshëm”, shkroi Ademi.
/IndeksOnline/

