Tentoi të kontrabandonte emigrantë drejt Malit të Zi, ngrihet aktakuzë ndaj një personi
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.N., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale: “Kontrabandimi me migrantë”, sipas kodit penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri M.N., më datë 18 mars 2026, rreth orës 15:00, në fshatin Drelaj të Rugovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka tentuar të kontrabandonte migrantë drejt kufirit me Malin e Zi.
Ai, fillimisht ishte takuar me disa shtetas të huaj të nacionalitetit sudanez në stacionin e autobusëve në Pejë, ku me kërkesën e tyre kishin arritur marrëveshje që t’i transportonte deri në afërsi të kufirit me Malin e Zi, me ç’rast ishte dakorduar që për këtë shërbim të kompensohej financiarisht pasi të arrinin në destinacionin e caktuar.
“Megjithatë, gjatë realizimit të kësaj veprimtarie, automjeti i të pandehurit është vërejtur nga policia kufitare në lokacionin e lartcekur. Me rastin e kontrollit, shtetasit e huaj janë identifikuar dhe i pandehuri është arrestuar, kurse vetura me të cilën dyshohet të jetë përdorur të kryhej vepra penale është sekuestruar”, thuhet në njoftimin për media..
Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale: “Kontrabandimi me migrantë”.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë.

