75 Mall Live Search
10:47 / E Martë, 12 Maj 2026 / Z S

Kryeziu: Kandidatët e rinj dhe gratë do ta kenë garën më të vështirë më 7 qershor

Ismet Kryeziu nga KDI, ka vlerësuar se kandidatët e rinj dhe gratë do ta kenë garën më të vështirë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Përmes një postimi në Facebook, drejtori i Instituti Demokratik i Kosovës tha se afati i shkurtër zgjedhor po ua vështirëson dukshëm kandidatëve të rinj ndërtimin e profilit publik dhe fitimin e besimit të qytetarëve.

Postimi i plotë:

Sot është afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 7 qershorit.

Për kandidatët që hyjnë për herë të parë në garë dhe që nuk kanë profil të lartë publik, sfida është dukshëm më e madhe. Zgjedhjet e parakohshme gjithmonë janë disavantazh për ta. Brenda një kohe shumë të shkurtër duhet të krijojnë profil publik, të shpalosin mendimin ose ofertën e tyre politike dhe të ndërtojnë besim elektoral te qytetarët.

Gjithashtu, kategoria tjetër që më së shumti është në disavantazh në këto cikle të shpejta zgjedhore janë gratë. Përveç konkurrencës politike, ato shpesh përballen me më pak hapësirë mediale, më pak mbështetje strukturore dhe financiare, me gjuhë diskriminuese dhe me standarde më të ashpra të gjykimit publik.

Këtë garë të pabarabartë e thellon edhe më shumë sistemi aktual zgjedhor, ku Kosova trajtohet si një zonë e vetme zgjedhore. Ndarja në zona zgjedhore do të ishte një zgjidhje më e drejtë, sepse do të krijonte përfaqësim më cilësor, më shumë mundësi për kandidatë të rinj dhe lidhje më të drejtpërdrejtë mes përfaqësuesve politikë dhe votuesve.