75 Mall Live Search
10:47 / E Martë, 12 Maj 2026 / b l

Jakaj: Formimi i qeverisë u zhvillua pa transparencë, opozita me aktivitet minimal në seancën për votimin e qeverisë

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se procesi i formimit të qeverisë në legjislaturën X është karakterizuar nga mungesa e theksuar e transparencës dhe debati i kufizuar parlamentar.

Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Naim Jakaj, tha se deputetët dhe opinioni publik nuk kishin informacion paraprak për përbërjen e kabinetit qeveritar dhe për zgjerimin e numrit të ministrive.

“Procesi i formimit të qeverisë u karakterizua nga mungesa e theksuar e transparencës. Deputetët dhe opinioni publik nuk patën asnjë informacion paraprak për përbërjen e kabinetit, ndërsa zgjerimi i tij u bë pa arsyetim të qartë. Për më tepër, zgjerimi i kabinetit u bë pa ndonjë analizë funksionale, financiare apo administrative”, ka deklaruar Jakaj.

Ai tha se në vend të një programi të plotë qeverisës, kuvendi u përball vetëm me një ekspoze të shkurtër.

“Në vend të një programi të plotë qeverisës, u paraqit një ekspoze e shkurtër, duke kufizuar seriozisht mundësinë për debat dhe llogaridhënie në një moment kyç për vendin”, tha ai.

Sipas Jakajt, edhe opozita nuk arriti të luajë rolin që i takon në një demokraci parlamentare.

“Në seancën për votimin e qeverisë, ajo u mjaftua me prezencë minimale dhe deklarime simbolike, duke lënë pa trajtuar çështje të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve”, tha ai.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e Rockefeller Brothers Fund, të martën publikoi raportin monitorues për legjislaturën X të Kuvendit të Kosovës. /BetimipërDrejtësi