Ministria e Kulturës ndan mijëra euro për ta rikthyer Galerinë Kombëtare në rrjetin elektrik (dokument)
Ministria e Kulturës ka dhënë kontratën mijëra euroshe për rikyçjen e ndërtesës së Galerisë Kombëtare të Kosovës në rrjetin elektrik.
Ky projekt pritet të ndikojë në funksionalizimin e plotë të objektit në Prishtinë, shkruan IndeksOnline.
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, aktiviteti i prokurimit është zhvilluar me procedurë të hapur dhe ka të bëjë me shërbime për rikyçjen e objektit të Galerisë Kombëtare në rrjetin energjetik.
Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 40 mijë euro, ndërsa kontrata është dhënë në vlerë prej 18 mijë e 400 euro.
Kontrata i është dhënë operatorit ekonomik “RISAMONT SH.P.K.”, ndërsa në garë kanë marrë pjesë gjithsej katër operatorë ekonomikë.
Sipas dokumentit zyrtar, data e dhënies së kontratës është 7 maji, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar të bëhet sot.
Tenderi është vlerësuar me kriterin “çmimi më i ulët”, ku oferta fituese ka qenë 18 mijë e 400 euro, ndërsa oferta më e lartë e përgjegjshme ka arritur në 32 mijë e 800 euro./IndeksOnline/

