Kërcënimi ndaj Prokurorit Prekazi, vjen reagimi nga Shoqata e Prokurorëve
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës shpreh shqetësimin e thellë dhe dënon ashpër kërcënimin e bërë ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Muharrem Prekazi, gjatë ushtrimit të detyrës së tij zyrtare në seancë gjyqësore.
“Çdo formë e kërcënimit, presionit apo intimidimit ndaj prokurorëve për shkak të ushtrimit të funksionit të tyre kushtetues dhe ligjor paraqet cenim serioz të pavarësisë së sistemit prokurorial dhe sulm të drejtpërdrejtë ndaj sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës konsideron se siguria dhe integriteti i prokurorëve janë elemente esenciale për funksionimin e pavarur dhe efikas të sistemit të drejtësisë, andaj raste të tilla duhet të trajtohen me prioritet dhe seriozitet të plotë nga institucionet kompetente.
Njëkohësisht, Shoqata shpreh mbështetjen e plotë profesionale dhe institucionale për prokurorin Muharrem Prekazi, si dhe për të gjithë prokurorët e Republikës së Kosovës, të cilët vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e tyre me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim, pavarësisht presioneve dhe sfidave me të cilat përballen.
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës rithekson se do të vazhdojë të reagojë ndaj çdo veprimi që cenon pavarësinë, sigurinë dhe integritetin e prokurorëve në ushtrimin e funksionit të tyre kushtetues dhe ligjor. /IndeksOnline/

