Arne Slot shkruan një letër emocionuese pas largimit nga Liverpooli
Trajneri Arne Slot ka publikuar një letër të hapur për tifozët e Liverpoolit, ku ka reflektuar mbi sezonin e kaluar, triumfin në kampionat dhe humbjen tragjike të sulmuesit Diogo Jota.
Në mesazhin e tij, Slot e cilësoi humbjen e Jotës si një nga momentet më të vështira që ka përjetuar klubi, shkruan Indeksonline
“Vetëm disa javë pasi festuam së bashku, humbëm Diogon. Kjo është e papërshkrueshme. Mbi të gjitha, dua të kujtoj një shok skuadre, një mik dhe një njeri të jashtëzakonshëm që preku jetët e mijëra njerëzve sa herë që veshi fanellën e këtij klubi”, shkroi ai.
Tekniku holandez falënderoi tifozët për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar në periudhën e vështirë pas vdekjes së futbollistit portugez.
Arne Slot writes an open letter, published in @LivEchoLFC. He touches upon the tragic loss of Diogo Jota, winning the title and says he has “complete confidence” in what lies ahead.
— Ben Jacobs (@JacobsBen) June 1, 2026
“That only weeks after celebrating together we would lose Diogo is indescribable. More than… pic.twitter.com/bd37lwavhy
“Në një nga momentet më të vështira që ka përjetuar ky klub, dashuria, dhembshuria dhe mbështetja e familjes së Liverpoolit ishte e jashtëzakonshme. Mënyra se si e nderuat Diogon dhe qëndruat të bashkuar në kujtimin e tij do të mbetet përgjithmonë me mua.”
Slot kujtoi gjithashtu suksesin e skuadrës në fitimin e titullit të 20-të kampion në histori, duke theksuar se ky triumf i përket të gjithë komunitetit të klubit.
“Titulli i 20-të i Liverpoolit na përket të gjithëve dhe do të mbetet një kapitull i rëndësishëm në historinë e klubit. Për këtë duhet të jemi krenarë.”
Në fund, ai u shpreh i bindur se Liverpooli do të vazhdojë të jetë pjesë e elitës së futbollit evropian.
“Ky klub gjithmonë do ta gjykojë veten nga trofetë më të mëdhenj dhe kështu duhet të jetë. Largohem duke ditur se Liverpooli është aty ku i takon, mes më të mirëve në Evropë. Sigurimi i Ligës së Kampionëve ishte një përgjegjësi e rëndësishme dhe unë largohem me besim të plotë në atë që e pret klubin në të ardhmen”, përfundoi Slot./Indeksonline/

