Abdixhiku falënderon qytetarët: Vendimi tani është në duart tuaja
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar se rrugëtimi i tij dhe i subjektit që udhëheq është ndërtuar mbi besimin, shpresën dhe bashkimin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abdixhiku shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që, sipas tij, kanë qenë pjesë e takimeve dhe aktiviteteve gjatë fushatës, shkruan IndeksOnline.
“Ju faleminderit! Për mbështetjen në këtë fushatë. Për inkurajimin, për dorështrëngimin, për fjalën e mirë, për besimin. Për çdo takim në rrugë, në lagje e në shesh. Për çdo buzëqeshje, për çdo përqafim, për çdo kritikë të sinqertë e çdo shpresë të ndarë bashkë”, ka shkruar ai.
Abdixhiku theksoi se fushata është zhvilluar me synimin për të bashkuar qytetarët dhe jo për t’i ndarë ata.
Ky është postimi i plotë i tij:
Ju faleminderit!
Për mbështetjen në këtë fushatë. Për inkurajimin, për dorështrëngimin, për fjalën e mirë, për besimin.
Për çdo takim në rrugë, në lagje e në shesh. Për çdo buzëqeshje, për çdo përqafim, për çdo kritikë të sinqertë e çdo shpresë të ndarë bashkë.
Këtë rrugëtim nuk e bëmë duke ndarë njerëz. E bëmë duke i bashkuar. Nuk e bëmë me zhurmë e mllef. E bëmë me besim se Kosova ka një rrugë të ndritur përpara.
Sonte, para heshtjes zgjedhore, kam vetëm mirënjohje për njerëzit tanë. Për besimin. Për energjinë. Për shpresën.
Tani, vendimi është në duart tuaja.
E nesërmja e Kosovës është e bukur!
Dritë do të ketë!

