75 Mall Live Search
12:08 / E Diele, 07 Qershor 2026 / Z S

Kryeziu: E di që ka qytetarë të revoltuar, të lodhur, që s’duan të dalin fare në zgjedhje

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje dhe zhvillimet e procesit zgjedhor, duke bërë thirrje për votim dhe organizim qytetar.

Duke iu referuar të dhënave të daljes në votime deri në orën 11:00, Kryeziu ka thënë se ekzistojnë dallime të dukshme ndërmjet komunave shqiptare dhe atyre me shumicë serbe.

Reagimi i plotë:

E di që ka qytetarë të revoltuar, të lodhur, që s’duan të dalin fare në zgjedhje. Por shihni një herë shifrat e KQZ-së për daljen deri në orën 11:00.

Në komunat shqiptare dalja është rreth 8-9%. Në komunat serbe është 17-18%. Pothuajse dyfishi.

Kjo nuk është rastësi. Kjo është organizim. Beogradi e ka vënë në lëvizje gjithë aparatin e vet, BIA-n, paranë, dhe rrjetet kriminale, vetëm e vetëm që Lista Serbe të hyjë në Kuvend si bllok i bindur: dhjetë deputetë të gjithë në shërbim të Beogradit, duke vrarë çdo mendim ndryshe e çdo opozitë qytetare brenda komunitetit serb. Ndërsa ne rrimë në shtëpi të revoltuar, ata po punojnë dhe nuk po ndalen.

Disa nga ju kanë vendosur të mos votojnë asnjë parti shqiptare, ndoshta edhe për arsye të shëndosha. E kuptoj. Por abstenimi nuk është protestë. Është një ulëse e lënë bosh, që dikush tjetër do ta mbushë për ty.

Ka një serb të Kosovës që nuk i përkulet Beogradit. Nenad Rashiq. Dhe pikërisht këtë Serbia po përpiqet ta zhdukë, sepse ai vërteton se besnikëria ndaj Beogradit nuk është e vetmja rrugë për një serb të Kosovës.

Prandaj po e them thjesht: nëse ke vendosur të mos votosh shqip, mos e dorëzo votën në heshtje. Dilni dhe votoni Nenad Rashiqin. Në këto zgjedhje, kjo është një nga votat më shtetërore që një qytetar i Kosovës mund të hedhë.

Kosova nuk mbrohet vetëm me institucione. Mbrohet me organizim qytetar dhe me patriotizëm. Mbrohet edhe me votën që Beogradi nuk e priste.