75 Mall Live Search
12:01 / E Mërkurë, 10 Qershor 2026 / Z S

LVV-ja fton qytetarët në shënimin e 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar qytetarët që më 10 qershor të marrin pjesë në aktivitetet për shënimin e 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilat do të organizohen në Prizren.

Përmes një postimi, LVV-ja ka bërë të ditur se aktivitetet do të nisin nga ora 17:00 në sheshin e Lidhjes dhe do të vazhdojnë gjatë pasdites dhe mbrëmjes.

“Lidhja është gjallë. 148-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lëvizja VETËVENDOSJE! më 10 qershor ju fton ta shënojmë së bashku këtë përvjetor në Prizren. Aktivitetet fillojnë prej ora 17.00 te sheshi i lidhjes dhe vijojnë përgjatë pasdites e mbrëmjes”, thuhet në njoftim.

LVV-ja ka rikujtuar rëndësinë historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke theksuar se ajo përbën organizimin e parë politik mbarëshqiptar në mbrojtje të trojeve shqiptare.

“Më 10 qershor 1878, në Prizren përfaqësues shqiptarë nga katër vilajetet u mblodhën për t’iu kundërvënë vendimeve që po përgatiteshin në Kongresin e Berlinit dhe që rrezikonin copëtimin e trojeve shqiptare. Nën udhëheqjen e Abdyl Frashërit dhe patriotëve të tjerë, lidhja u bë organizata e parë politike mbarëshqiptare, duke kërkuar bashkim dhe vetëqeverisje për shqiptarët”, thuhet më tej.

Sipas Vetëvendosjes, Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënoi fillimin e një etape të re në historinë kombëtare shqiptare dhe vazhdon të mbetet simbol i unitetit kombëtar.

“Ky ishte hapi i parë i madh nga mbrojtja e trojeve drejt programit politik kombëtar që do të udhëhiqte Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Prandaj, 148 vjet më pas, lidhja mbetet shenjë e bashkimit, organizimit dhe vetëdijes sonë kombëtare. Ideal kombëtar për secilin brez, për secilin shqiptar kudo ku jeton”, theksohet në postim.