75 Mall Live Search
13:25 / E Mërkurë, 10 Qershor 2026 / A

Rizvanolli: 775 mijë euro investim për përmirësimin e furnizimit me ujë në fshatra të Shalës

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar për një investim prej 775 mijë eurosh që synon përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e katër fshatrave të zonës së Shalës në Komunën e Mitrovicës.

Përmes një postimi në Facebook, Rizvanolli ka bërë të ditur se projekti po realizohet në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Komunës së Mitrovicës dhe kompanisë rajonale të ujësjellësit “Mitrovica”.

“Ministria e Ekonomisë, së bashku me Komunën e Mitrovicës dhe KRU “Mitrovica”, po financon investimin prej 775 mijë euro për furnizim më të mirë me ujë për banorët e fshatrave të Shalës: Melenicë, Zjaq, Maxherë dhe Vllahi”, ka shkruar Rizvanolli.

Sipas saj, investimi do të realizohet përmes dy marrëveshjeve dhe do të përfshijë zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit, ndërtimin e rezervuarëve dhe stacioneve të pompimit, si dhe shtrirjen e rrjetit në zonat ku nevoja për furnizim me ujë është më e madhe.

“Përmes dy marrëveshjeve, po mundësojmë zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit, ndërtimin e rezervuarëve dhe stacioneve të pompimit, si dhe shtrirjen e ujësjellësit në zonat ku nevoja është e madhe”, ka theksuar ajo.

Ministrja në detyrë ka shtuar se projekti pritet të përmirësojë cilësinë e shërbimit dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me ujë për qytetarët e këtyre fshatrave.

“Investimi do të sigurojë shërbim më cilësor, menaxhim më të mirë të presionit në rrjet dhe furnizim më të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për qytetarët”, ka deklaruar Rizvanolli.