Kosova tërheq gjithnjë e më shumë turistë, 40 mijë vizitorë të huaj vetëm në prill
Kosova po vazhdon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë nga jashtë. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë muajit prill 2026 në hotelet e vendit janë regjistruar 40.060 vizitorë të huaj, që paraqet një rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ku Kosovën e kanë viztuar 32 mijë e 432 vizitorë të huaj.
Raporti i ASK-së tregon se në total, Kosova ka pritur 67.093 vizitorë gjatë muajit prill, ndërsa numri i netqëndrimeve ka shënuar rritje prej 17.1 për qind në raport me prillin e vitit 2025, raporton Indeksonline.
Vizitorët e huaj vazhdojnë të përbëjnë pjesën më të madhe të fluksit turistik në vend. Ata realizuan 75.143 netqëndrime, ose 18 për qind më shumë se një vit më parë.
Sipas statistikave, numri më i madh i turistëve të huaj ka ardhur nga:
- Shqipëria – 8.258 vizitorë
- Gjermania – 4.724 vizitorë
- Zvicra – 4.033 vizitorë
- Turqia – 3.531 vizitorë
- Maqedonia e Veriut – 1.720 vizitorë
- Serbia – 1.258 vizitorë
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës – 1.242 vizitorë
- Italia – 1.213 vizitorë
Të dhënat e ASK-së tregojnë gjithashtu se krahas rritjes së numrit të turistëve, është rritur edhe koha që ata kalojnë në vend. Kjo reflektohet në shtimin e netqëndrimeve, veçanërisht nga vizitorët që vijnë nga Zvicra, Gjermania, Serbia, SHBA-ja dhe Italia./Indeksonline/


