75 Mall Live Search
10:46 / E Enjte, 11 Qershor 2026 / b l

Kusari: Po punojmë për afrim të legjislacionit me BE-në për akreditim

Në Ditën Botërore të Akreditimit, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari – Lila tha se kjo ngjarje është rikujtim që cilësia, besueshmëria dhe kompetenca nuk janë vetëm standarde teknike, por baza mbi të cilat ndërtohet konkurrueshmëria ekonomike, mbrojtja e konsumatorit dhe besimi në produktet dhe shërbimet e Kosovës.

“Akreditimi, së bashku me standardizimin, metrologjinë dhe mbikëqyrjen e tregut, përbën shtyllën kryesore të infrastrukturës së cilësisë, e cila garanton besueshmëri ndaj produkteve, shërbimeve dhe institucioneve”, tha ajo në një ngjarje të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit.

Kusari-Lila tha se MINT po punon për përafrimin me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian, veçanërisht për ngritjen e kapaciteteve në fushat që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë dhe sigurinë e produkteve që qarkullojnë në tregun e Kosovës.

“Jemi duke punuar në përmirësimin e kornizës ligjore, duke e harmonizuar atë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, në përputhje me obligimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Në kuadër të këtij procesi reformues, po punojmë edhe për ristrukturimin organizativ të ministrisë dhe të agjencive që veprojnë në kuadër të saj. Ky riorganizim do të rrisë efikasitetin dhe transparencën në punën që bëjmë për qytetarët e Republikës së Kosovës, duke na bërë më llogaridhënës dhe më të gatshëm për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut dhe të bizneseve që operojnë në vend”, tha ajo.

Më tej, ministrja në detyrë theksoi se puna e përbashkët ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë synon ndërtimin e një sistemi cilësor që përmirëson shërbimet dhe mbështetjen për sektorin privat, nxit zhvillimin ekonomik dhe kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Ndërkaq, Boguslaw Gertruda, udhëheqës i Sektorit për Çështje Politike, Ekonomike dhe Integrim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, e lidhi Planin e Rritjes së BE-së me integrimin e Kosovës në tregjet e përbashkëta evropiane.

“Plani i Rritjes i BE-së i ofron Kosovës mundësinë që të integrohet në zinxhirët e vlerës dhe të përfshihet në tregjet e përbashkëta. Po ashtu, vlerësimi i konformitetit dhe akreditimi i produkteve në sektorët e industrisë dhe bujqësisë luajnë një rol kyç në këtë proces, veçanërisht për bizneset eksportuese. Kjo nuk është vetëm një çështje teknike. Partnerët duhet të kenë besim se inspektimet janë të paanshme, se certifikatat pasqyrojnë saktësisht atë që deklarojnë dhe se rezultatet janë të besueshme e të pranueshme edhe jashtë vendit”, tha ai.

Gertruda shtoi se ekonomia e Kosovës po diversifikon tregun e saj përmes aktiviteteve të ndryshme ekonomike, si përpunimi i metaleve, përpunimi i drurit, prodhimi i materialeve ndërtimore, industria e plastikës, sektori ushqimor dhe ai i pijeve.