75 Mall Live Search
12:28 / E Enjte, 11 Qershor 2026 / P M

IKD akuzon KPM-në për tejkalim kompetencash: Po cenon seriozisht lirinë e mediave në Kosovë

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj vendimeve të fundit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), duke vlerësuar se ky institucion po cenon seriozisht lirinë e mediave dhe po tejkalon kompetencat e tij ligjore.

Përmes një komunikate, IKD ka shprehur shqetësimin se KPM, në vend që të veprojë si rregullator i mediave, po merr rolin e gjykatës duke sanksionuar mediat për deklaratat e bëra nga persona të tretë në emisione televizive.

“Në vendimmarrjen e saj, KPM është duke marrë kompetenca që nuk i takojnë rregullatorit, por gjykatës. Përmes këtyre vendimeve, KPM po shqipton sanksione ndaj mediave për deklarata të personave të tretë, të dhëna në debate televizive, duke ua mveshur mediave përgjegjësi automatike për çdo fjalë të të ftuarve. Një qasje e tillë është e kundërligjshme dhe e papranueshme në një shoqëri demokratike”, thuhet në reagim.

Sipas IKD-së, detyra e KPM-së është të vlerësojë nëse mediumet kanë respektuar standardet profesionale dhe editoriale, por jo të përcaktojë nëse një deklaratë përbën shpifje apo cenim të reputacionit.

“KPM është rregullator i mediave, jo gjykatë që shqyrton përgjegjësinë për shpifje apo ofendim ndaj palëve të treta. KPM nuk ka kompetencë të konstatojë vetë se një deklaratë është shpifje, e pavërtetë apo dëmtuese për reputacionin e dikujt. Këto janë çështje që mund të iniciohen me padi civile nga palët që potencialisht mund të konsiderojnë se iu është cenuar ndonjë e drejtë dhe atë përmes rrugëve gjyqësore”, thekson IKD.

Instituti vlerëson se qasja aktuale e KPM-së e shndërron përgjegjësinë editoriale në përgjegjësi objektive, duke rrezikuar lirinë e medias dhe debatin publik.

“Në vend se të analizojë sjelljen editoriale të mediumit, KPM po shqyrton përmbajtjen e deklaratave të të ftuarve dhe po i dënon mediat sikur ato të ishin autorë të deklaratave. Kjo e kthen përgjegjësinë editoriale në përgjegjësi objektive, standard ky që bie ndesh me lirinë e medias dhe me parimet themelore të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet më tej.

IKD ka përmendur edhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se ndëshkimi i mediave për deklaratat e të intervistuarve mund të justifikohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.

Po ashtu, organizata ka shprehur shqetësim për paralajmërimet e KPM-së lidhur me emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, duke i cilësuar ato si kërcënim ndaj medias.

“Në anën tjetër, IKD ka parë me shqetësim edhe paralajmërimet për ndalimin e emisionit DEBAT PLUS të TV Dukagjini, paralajmërim që erdhi në formë të kërcënimit. Ai rast ishte skandaloz dhe shpërfaqi mendësinë problematike me të cilën KPM po i qaset mediave: fillimisht paralajmërohet masa, pastaj kërkohet arsyetimi. Në një demokraci, kjo logjikë është e rrezikshme”, thuhet në komunikatë.

Sipas IKD-së, vendimet e fundit të KPM-së tregojnë një praktikë më të gjerë të veprimit jashtë mandatit ligjor, me arsyetime të dobëta dhe qasje ndëshkuese ndaj mediave.

“Ky nuk është rregullim ligjor i tregut medial, por presion institucional ndaj debatit publik”, vlerëson IKD.

Organizata i ka bërë thirrje KPM-së që të rikthehet në ushtrimin e kompetencave të saj ligjore, të përfundojë procedurën për zgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv dhe të heqë dorë nga, siç thuhet, qasja armiqësore ndaj mediave. Gjithashtu, IKD ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës funksionalizimin e Bordit të Ankesave ndaj vendimeve të KPM-së, duke vlerësuar se mungesa e këtij mekanizmi ua cenon mediave të drejtën për një mjet efektiv juridik.