Të shtëna me armë në Lezhë, plagoset një person
Të shtëna me armë janë regjistruar paraditen e kësaj të mërkurë në zonën e Shëngjinit në qytetin e Lezhës. Nga kjo ka mbetur i plagosur një person.
Ai është identifikuar si 29-vjeçari Kristian Gjoni. Policia njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:45, në një kompleks në Shëngjin, në rrethana ende të paqarta ku është plagosur i riu në këmbë.
Sipas informacioneve paraprake, sherri ka nisur mes disa të rinjve dhe menaxherit të lokalit dhe më pas ka agravuar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Policia ka identifikuar dy persona të dyshuar si autorë të ngjarjes dhe vijon puna për kapjen e tyre.
“Shëngjin- Lezhë/ Informacione paraprake. Rreth orës 10:45, në një kompleks në Shëngjin, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi K. Gj., rreth 35 vjeç. I dëmtuari është transportuar për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e shpejta hetimore janë identifikuar dy shtetas të dyshuar si autorë të ngjarjes dhe vijon puna për kapjen e tyre. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave”, njofton policia.

