75 Mall Live Search
10:00 / E Shtunë, 13 Qershor 2026 / A

KQZ: Numërimi i votave të përfaqësive diplomatike mbyllet sot, po vazhdon numërimi i atyre me postë

Procesi i verifikimit dhe numërimit të votave po vazhdon në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ndërsa deri në mëngjesin e së shtunës janë procesuar 98.08 për qind e vendvotimeve në nivel vendi.

“Deri më tani (e shtunë, 13 qershor 2026, ora 09:00) procesi i verifikimit dhe numërimit është duke vazhduar në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ku janë proceduar 214 nga 262 vendvotimet e kësaj komune. Numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara dhe që i takojnë të gjitha QKN-ve (38) është 2,450 nga 2,498 vendvotime apo 98.08%”, ka bërë të ditur për Ekonomia Online, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës në përfaqësitë diplomatike. Ky proces ka nisur më 11 qershor, ndërsa deri të shtunën në mëngjes janë numëruar 46 nga 47 vendvotime të përfaqësive diplomatike.

Votimi në përfaqësitë diplomatike është zhvilluar më 6 qershor në 30 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme. Nga 27,724 shtetas të regjistruar për votim, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 22,860 persona, që përbën 82.46 për qind të votuesve të regjistruar.

“Deri më tani (e shtunë, 13 qershor 2026, ora 09:00) janë numëruar 46 nga 47 vendvotimet e përfaqësive diplomatike. Më 6 qershor 2026, votimi u zhvillua në 30 përfaqësi diplomatike, në 18 shtete të ndryshme. Nga 27,724 shtetas të regjistruar, kanë votuar 22,860 apo 82.46%. Këto fletëvotime janë në proces numërimi”, ka shtuar ai.

Po ashtu, në mbrëmjen e 12 qershorit ka filluar edhe numërimi i fletëvotimeve të para nga votimi përmes postës. Pas procesit të vlerësimit, zarfet me fletëvotime janë sistemuar në kuti votimi sipas komunave përkatëse të votuesve.

Votimi përmes postës ka qenë i hapur nga 21 maji deri më 6 qershor 2026, ndërsa rreth 105 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për këtë mënyrë votimi.

Në të njëjtën kohë, në QNR po vazhdon edhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura përmes postës. Deri në fund të ditës së premte janë shqyrtuar mbi 60 mijë pako, prej të cilave 59,973 janë aprovuar, ndërsa 2,244 janë refuzuar.

Elezi ka thënë se arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument i cili përmban të dhëna unike dhe u dërgohet votuesve të regjistruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo arsye është evidentuar në 2,066 raste të refuzuara.