75 Mall Live Search
19:56 / E Hënë, 15 Qershor 2026 / b l

Kurti merr pjesë në inaugurimin e gjeneratës së re për Asistent për Nxënës me Nevoja të Veçanta Arsimore

Kryeministri në detyrë Kurti mori pjesë në inaugurimin e gjeneratës së re të Kualifikimit të Nivelit V Post-Sekondar për Asistent për Nxënës me Nevoja të Veçanta Arsimore

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në inaugurimin e gjeneratës së re të Kualifikimit të Nivelit V Post-Sekondar për Asistent për Nxënës me Nevoja të Veçanta Arsimore.

Duke shprehur mbështetjen e Qeverisë për nismat të cilat i fuqizojnë profesionistët e arsimit dhe krijojnë mundësi më të mira për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë, kryeministri në detyrë Kurti tha se arsimi gjithëpërfshirës është një objektiv politikash dhe përgjegjësi e përbashkët për investim në të ardhmen e vendit dhe në respektimin e të drejtave të njeriut.

“Një shoqëri që çmon dijen për të gjithë, prodhon më shumë drejtësi për secilin. Andaj, përgatitja profesionale e asistentëve për nxënës me nevoja të veçanta arsimore ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë dhe të ardhmen e fëmijëve”, tha ai, duke shtuar se këta profesionistë luajnë një rol kyç në përkrahjen e fëmijëve dhe në ndërtimin e shkollave ku secili nxënës ndihet i barabartë.

Kryeministri në detyrë Kurti falënderoi asistentët e ardhshëm, për përzgjedhjen e këtij profesioni fisnik dhe me ndikim të madh shoqëror.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:

Të nderuar dr. Natyra Agani Destani dhe dr. Erëblir Kadriu, bashkëthemelues të Qendrës Profesionale për Gjithëpërfshirje,

E nderuar znj. Drita Dushi, Drejtoreshë e Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim “Përparimi”, në Prishtinë,

Të dashur asistentë të ardhshëm për nxënës me nevoja të veçanta arsimore,

Të dashur të rinj,

Të nderuar të pranishëm,

Unë jam i gëzuar që po marr sot pjesë këtu bashkë me juve në inaugurimin e gjeneratës së re të Kualifikimit të Nivelit V Post-Sekondar për Asistent për Nxënës me Nevoja të Veçanta Arsimore.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dua të shpreh mbështetjen tonë për nismat të cilat i fuqizojnë profesionistët e arsimit dhe krijojnë mundësi më të mira për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë.

Për ne, arsimi gjithëpërfshirës është një objektiv politikash dhe përgjegjësi e përbashkët për investim në të ardhmen e vendit dhe në respektimin e të drejtave të njeriut. Një shoqëri që çmon dijen për të gjithë, prodhon më shumë drejtësi për secilin. Andaj, përgatitja profesionale e asistentëve për nxënës me nevoja të veçanta arsimore ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë dhe të ardhmen e fëmijëve. Këta profesionistë luajnë një rol kyç në përkrahjen e fëmijëve dhe në ndërtimin e shkollave ku secili nxënës ndihet i barabartë.

Unë shpreh mirënjohjen time për të gjithë partnerët institucionalë edhe ata ndërkombëtarë, të cilët po kontribuojnë në avancimin e arsimit gjithëpërfshirës në Republikën e Kosovës. Përmes këtyre bashkëpunimeve po ndërtojmë kapacitete profesionale, po forcojmë standardet e arsimit dhe po krijojmë mundësi reale për fëmijët që kanë nevojë për mbështetje shtesë në procesin arsimor.

Sot po e filloni një rrugëtim profesional, i cili ka vlerë të posaçme për shoqërinë tonë. Përmes punës suaj do të ndikoni drejtpërdrejt në jetën edhe të fëmijëve, por edhe familjeve të tyre, në të ardhmen e tyre si profesionale gjithashtu edhe personale.

Prandaj, ju falënderoj që keni zgjedhur këtë profesion fisnik dhe me ndikim të madh shoqëror.

Ju uroj suksese gjatë këtij kualifikimi dhe ju siguroj që institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të përkrahin zhvillimin e arsimit gjithëpërfshirës dhe krijimin e mundësive të barabarta për çdo fëmijë.

Ju faleminderit për ftesën dhe për vëmendjen.