75 Mall Live Search
13:26 / E Martë, 16 Qershor 2026 / Z S

Miliona tifozë në Kupën e Botës 2026, rritet mbikëqyrja për sëmundjet infektive në shtetet organizatore

Kupa e Botës për meshkuj 2026, që zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po pret rreth gjashtë milionë tifozë në të tre vendet, duke krijuar një nga ngjarjet më të mëdha sportive në historinë e turneut.

Ky grumbullim masiv njerëzish ka ngritur gjithashtu shqetësime për shëndetin publik, me autoritetet që po paralajmërojnë rreziqe të shtuar për përhapjen e sëmundjeve dhe nevojën për monitorim të zgjeruar.

Sipas ekspertëve të shëndetit publik, sistemi i mbikëqyrjes po fokusohet në monitorimin e sinjaleve epidemiologjike në qytetet pritëse dhe në zonat ku po qëndrojnë ekipet dhe tifozët, si dhe në lëshimin e njoftimeve paralajmëruese në rast të identifikimit të rreziqeve.

Gjithashtu po ndiqen diskutimet dhe sinjalet në internet lidhur me shqetësimet shëndetësore, me qëllim identifikimin e hershëm të çdo zhvillimi të mundshëm.

Në periudhën nga 11 qershori deri më 19 korrik, miliona njerëz do të lëvizin nëpër tri vendet organizatore, ndërsa autoritetet theksojnë se kjo situatë krijon sfida të veçanta për koordinimin ndërkombëtar dhe shëndetin publik.

Ndër patogjenët nën vëzhgim përmenden infeksionet e zakonshme të grumbullimeve masive, si ato gastrointestinale dhe respiratore, por edhe sëmundje më specifike për rajonet pritëse, përfshirë fruthin, dengun, hepatitin A dhe mpoksin.

Autoritetet shëndetësore kanë vënë në dukje se fruthi aktualisht përbën një nga shqetësimet kryesore, duke marrë parasysh rastet e raportuara në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Në nivel global, një tjetër shqetësim mbetet shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë, ku janë raportuar qindra raste dhe viktima. Megjithatë, ekspertët theksojnë se rreziku për Kupën e Botës mbetet i ulët, për shkak të mënyrës së transmetimit të virusit dhe masave ekzistuese të kontrollit.

Për forcimin e monitorimit po përdoren edhe sisteme të avancuara si analiza e ujërave të zeza, të cilat lejojnë identifikimin e hershëm të sinjaleve të sëmundjeve dhe ndihmojnë autoritetet të reagojnë përpara përshkallëzimit të situatës.