Thirrje për Qeverinë: Ndaloni rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç
Presidentja e organizatës MuteFoundation, njëherazi e angazhuar me edukimin estetik të fëmijëve nëpërmjet teatrit, Florie Bajoku, ka bërë thirrje që, fëmijëve nën moshën 16 vjeç, t’u ndalohen rrjetet sociale.
Nëpërmjet një letre të hapur drejtuar Qeverisë, Bajoku ka deklaruar se Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë që kërkon caktimin e moshës minimale 16 vjeç për qasje në rrjete sociale, platforma të ndarjes së videove dhe inteligjencë artificiale.
“Shëndeti mendor dhe emocional i fëmijëve tanë është në rrezik kritik! Sipas raporteve shëndetësore, ekspozimi i hershëm ndaj algoritmeve dhe varësia dixhitale po rrit në mënyrë alarmante rastet e depresionit me mendime vetëvrasëse, ankthit, bullizmit kibernetik dhe presioneve psikologjike te adoleshentët” ka thënë Bajoku.
Ajo vlerëson se Kosova nuk mund të qëndrojë spektatore ndërsa fëmijët bien viktimë e dhunës online.
Kjo është letra e plotë e saj:
LETER E HAPUR KRYEMINISTRIT KURTI!
I bëj thirrje Qeveria e Republikës së Kosovës , Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Parlamenti I Republikës së Kosovës (kurdo që konstituohet) që të marrin masa urgjente për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç.
Së fundmi, Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë që kërkon caktimin e moshës minimale 16 vjeç për qasje në rrjete sociale, platforma të ndarjes së videove dhe inteligjencë artificiale.
Kësaj lëvizjeje globale po i prijnë vende si Australia – e cila tashmë e ka bërë ligj ndalimin e plotë nën 16 vjeç – si dhe Britania e Madhe, ku Kryeministri Keir Starmer sapo ka njoftuar ndalimin e rrjeteve sociale për nën 16 vjeçët për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e tyre.
Franca, Gjermania, Spanja dhe Kanadaja po ashtu po ecin me hapa të shpejtë drejt këtyre kufizimeve të domosdoshme.
Shëndeti mendor dhe emocional i fëmijëve tanë është në rrezik kritik! Sipas raporteve shëndetësore, ekspozimi i hershëm ndaj algoritmeve dhe varësia dixhitale po rrit në mënyrë alarmante rastet e depresionit me mendime vetëvrasëse, ankthit, bullizmit kibernetik dhe presioneve psikologjike te adoleshentët.
Kjo neglizhencë ka sjellë edhe pasoja me fatalitet – duke përfshirë humbje jetësh të fëmijëve në Kosovë dhe mbarë botën si pasojë e sfidave të rrezikshme (challenges) që qarkullojnë të pakontrolluara në aplikacione si TikTok.
Kosova nuk mund të qëndrojë spektatore ndërsa fëmijët tanë bien viktimë e dhunës online dhe abuzimeve të të dhënave, ku rastet e denoncuara në polici për shkelje të privatësisë dhe databazës kompjuterike janë rritur ndjeshëm vitet e fundit.
Ju lutem!
Veproni sa më shpejtë që të mundeni, kjo nuk është një çështje që pret më!
Foto: e shkrepur nga unë në Bruksel gjatë vizitës studimore në Parlamentin Europian!

