KQZ përfundon numërimin e votave me postë, përditësohen rezultatet e zgjedhjeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Të dhënat janë përditësuar në platformën e KQZ-së për rezultate: https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/crc
Nga fillimi i këtij procesi (e premte, 12 qershor, ora 21:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 17 qershor, ora 14:30) janë numëruar 223 kuti votimi, në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së.
Votimi përmes postës është mundësuar nga 21 maj deri më 6 qershor 2026, ndërsa numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës ishte rreth 105 mijë.
Të dielën (14 qershor), KQZ ka përmbyllur procesin e vlerësimit të 85,790 pako të supozuara me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërkaq janë refuzuar 2,981.”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

