75 Mall Live Search
08:58 / E Enjte, 18 Qershor 2026 / S Z

Gjermania dislokon anije në Detin e Kuq për një mision të mundshëm në Ngushticën e Hormuzit

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se vendi i tij po dislokon dy anije në Detin e Kuq në përgatitje për një mision të mundshëm ushtarak në Ngushticën e Hormuzit, shkruan CNN.

“Ndërsa po flasim, anija jonë për çminim Fulda dhe anija furnizuese Mosel po kalojnë përmes Kanalit të Suezit drejt Detit të Kuq”, u tha ai gazetarëve të enjten para një takimi me homologët e tij të NATO-s në Bruksel, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Para çdo pjesëmarrjeje në operacionet e çminimit, do të duhej të merrej miratimi nga Irani dhe Omani, shtoi ai. Misioni do të varej gjithashtu nga zhvillimet në bisedimet e mëtejshme mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, raportoi Reuters.

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se aleatët europianë janë zotuar ta ndihmojnë SHBA-në në pastrimin e Ngushticës së Hormuzit për të siguruar kalim të sigurt, megjithëse ai nuk specifikoi se cilat vende kanë ofruar ndihmën e tyre.

“Të gjitha”, tha Trump kur u pyet se cilat shtete kishin ofruar ndihmë për ta pastruar rrugën ujore nga minat iraniane. “Ato që kanë pajisje të tilla po, por secila prej tyre është zotuar të përfshihet”.