11 emërtime shqiptare hiqen nga rrugët e Tetovës, Qamili: Vendim kryekëput politik
Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, me shumicë votash, ka marrë vendim që 11 rrugë në një shesh të Tetovës, të ndryshojnë emrat nga ato të ngjarjeve dhe figurave shqiptare, në emërtime nga periudha e ish-Jugosllavisë.
Vendimi parasheh që, emërtimet si “Iliria”, “Dervish Cara”, “Mehmet Pashë Deralla”, “Kongresi i Manastirit”, “Dëshmorët e Kombit”, “Abdyl Frashëri”, “Sami Frashëri” dhe emra të tjerë të vendosur nga Këshilli i Komunës së Tetovës në vitin 2007, të zëvendësohen me emërtime si “Marshall Tito”, “JNA”, “Lenin”, “Ivo Lola Ribar”, “Radovan Coniq” dhe të tjerë.
Ky vendim i Kushtetuesës, sipas nënkryetarit të Tetovës, Albi Qamili, është “kryekëput politik”.
Në një deklarim për IndeksOnline, Qamili vlerëson se ndryshimi i emrave të rrugëve në qytetin me shumicë shqiptare është pasojë e punës gjysmake nga pushteti i kaluar, që, sipas tij, asnjëherë nuk e çoi procedurën deri në fund.
“Ndryshimi i emrave të rrugëve në Tetovë ishte një tjetër zgjidhje gjysmake nga pushteti i kaluar. Ata asnjëherë nuk e çuan procedurën deri në fund dhe si rrjedhojë, emrat në gjuhën shqipe asnjëherë nuk u bënë të plotfuqishëm. Në dokumentet personale të qytetarëve vazhdonin të figuronin emrat jugosllavë, të cilat ishin të regjistruar edhe në Regjistrin Qendror” tha Qamili.
Ai pohoi se për të zgjidhur këtë çështje, Komuna e Tetovës ka filluar procedurën për riemërtim të rrugëve, duke marrë parasysh edhe sugjerimet e qytetarëve.
“Duke e ditur këtë realitet, ne kemi filluar procedurën për riemërtimin e plotfuqishëm të rrugëve në Tetovë. Ka një komision që po punon intensivisht brenda Komunës së Tetovës dhe tashmë kemi rreth 3.000 sugjerime nga qytetarët për emrat e rinj.”
Vendimin e Gjykatës, Qamili e cilëson si përdorim i politikës ditore.
“Nuk mund të shfuqizosh diçka që nuk ka hyrë kurrë në fuqi realisht. Emrat e rinj të rrugëve në Tetovë do ta reflektojnë realitetin shoqëror të qytetit. Kësaj radhe sjellim zgjidhje të plotë, gjithëpërfshirëse dhe të paprekshme” deklaroi Qamili.
Se një situatë e re si kjo do të prodhojë më shumë acarim te shqiptarët në Maqedoni, që tash e sa kohë po protestojnë për mbajtje të provimeve në gjuhën shqipe, nuk do koment shtesë nga Qamili./IndeksOnline/

