Arrestohet një person në Mitrovicën e Veriut, dyshohet për dhunë në familje
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje” në Mitrovicën e Veriut.
Sipas policisë, rasti ka ndodhur më 18 qershor 2026, rreth orës 00:20, në rrugën “Zoran Gjingjiq”, ku zyrtarët policorë gjatë patrullimit kanë vërejtur një person duke sulmuar dy persona të tjerë, një grua dhe një burrë.
Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa të gjitha palët e përfshira janë shoqëruar në stacion policor për procedurat e nevojshme. Viktimat kanë refuzuar trajtimin mjekësor.
Gjatë intervistimit është konstatuar se i dyshuari dhe viktimat janë në lidhje familjare. Po ashtu, pas testimit me alkooltest, i dyshuari ka rezultuar nën ndikimin e alkoolit, me 1.06 promil alkool në gjak.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa në koordinim me të është iniciuar rasti “Dhunë në familje”. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës ka apeluar tek qytetarët që të raportojnë çdo rast të dyshuar të dhunës në familje, duke theksuar se të gjitha rastet trajtohen me profesionalizëm dhe seriozitet, në përputhje me ligjin.

