Onkologu Ilir Kurtishi tregon pse shumica e pacientëve me kancer pankreasi nuk mund të operohen
Onkologu, Ilir Kurtishi ka shpjeguar arsyet pse vetëm një pjesë e vogël e pacientëve me kancer të pankreasit mund t’i nënshtrohen trajtimit kirurgjikal, duke theksuar se shumica e rasteve diagnostikohen në faza të avancuara të sëmundjes.
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, Kurtishi tha se trajtimi i kancerit të pankreasit është multidisiplinar dhe përfshin kirurgjinë, kimioterapinë dhe radioterapinë, por operacioni është i mundur vetëm në raste të caktuara.
“Nëse sëmundja është e lokalizuar në pjesë të pankreasit ku mund të bëhet qasja operative, atëherë mund të kryhet ndërhyrja kirurgjikale. Megjithatë, numri i pacientëve që mund të operohen është shumë i vogël”, tha ai.
Sipas Kurtishit, nga numri total i pacientëve me kancer pankreasi, vetëm rreth 5 deri në 10 për qind arrijnë të jenë kandidatë për operacion.
“Numri më i madh i pacientëve trajtohen me protokollet standarde të trajtimit, kryesisht me kombinime të disa barnave që aplikohen për muaj të tërë dhe më pas rivlerësohen rezultatet”, shpjegoi ai.
Onkologu tregoi se në disa raste kimioterapia mund të ndihmojë në zvogëlimin e tumorit, duke krijuar mundësi që pacienti të rivlerësohet më vonë për ndërhyrje kirurgjikale.
“Nëse sëmundja rrudhet dhe përgjigjja ndaj trajtimit është e mirë, atëherë pas konsultimeve me kirurgët mund të shqyrtohet mundësia e operimit”, tha Kurtishi.

