Nga prokurimi te të hyrat komunale, auditori gjen shkelje të mëdha në Komunën e Drenasit
Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar një sërë parregullsish në Komunën e Drenasit e udhëhequr nga Ramiz Lladrovci, gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2025, duke evidentuar probleme në menaxhimin e buxhetit, prokurimit publik dhe administrimin e të hyrave komunale.
Një nga gjetjet kryesore të auditorit lidhet me rialokimin e mjeteve për projekte kapitale pa miratimin paraprak të Kuvendit Komunal. Sipas raportit, në dy raste komuna kishte bërë rialokime të mjeteve për projekte kapitale pa marrë aprovimin e organit kompetent komunal, veprim që bie ndesh me procedurat ligjore dhe rregullat e menaxhimit të financave publike.
Auditori ka gjetur po ashtu se në një rast ishte iniciuar procedura e prokurimit pa ekzistuar projekti ekzekutiv, duke rritur rrezikun për ndryshime të mëvonshme të kontratave dhe kosto shtesë gjatë realizimit të projekteve.
Parregullsi janë evidentuar edhe në procesin e vlerësimit të tenderëve. Në një rast komisioni vlerësues kishte vonuar procesin e ekzaminimit, vlerësimit dhe krahasimit të ofertave, duke mos respektuar afatet e parapara me legjislacionin për prokurimin publik.
Raporti i auditimit ka ngritur shqetësime edhe për menaxhimin e kontratave. Sipas auditorit, komuna nuk kishte respektuar kërkesat rregullative për emërimin e ekipeve për menaxhimin e kontratave të punëve, ndërsa menaxhimi i kontratave nuk ishte administruar përmes platformës elektronike të prokurimit, siç kërkohet nga rregullat në fuqi.
Një tjetër çështje e evidentuar ka të bëjë me mosinkasimin e të hyrave nga qiraja e Parkut Industrial “Boma”, duke krijuar rrezik për humbje të të hyrave komunale dhe duke reflektuar dobësi në monitorimin e kontratave dhe detyrimeve financiare ndaj komunës.
Përveç këtyre, auditori ka identifikuar edhe vonesa në pagesën e faturave, realizim të kontratave në kundërshtim me sasitë e përcaktuara, si dhe mangësi në inspektimin e pronave dhe lëshimin e lejeve ndërtimore. Si rezultat i këtyre gjetjeve, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kërkuar nga menaxhmenti komunal ndërmarrjen e masave konkrete për forcimin e kontrolleve të brendshme dhe respektimin e kërkesave ligjore në menaxhimin e financave publike./Indeksonline/

