“U shkatërruam, zemra mu thye…”, flet babai i vajzave që vdiqën në aksidentin në Gjermani
Vdekja e dy motrave kosovare nga familja Zubaku prej fshatit Topanicë i Komunës së Kamenicës, që humbën jetën në një aksident në Gjermani ka tronditur familjen, diasporën dhe gjithë vendin.
Mes dhimbjes së madhe, babai i tyre ka folur tejet i prekur për humbjen e madhe të dy të bijave të tij, E. dhe A., njëra 23 e tjetra 17-vjeç,
“Jemi të gjithë të shkatërruar. Zemra ime është e thyer. Të dyja ishin në kulmin e jetës së tyre”, tha ai, duke treguar se lamtumira e fundit do t’iu jepet në vendlindje.
I pikëlluar, prindi i tyre ka treguar tutje për planet e vajzave dhe jetën që fatkeqësisht ishte e shkurtër për to.
“Vajzat ishin në kulmin e rinisë dhe kishin plane e ëndrra për të ardhmen. Vajza e madhe kishte përfunduar së fundmi shkollimin e lartë profesionale dhe ishte e punësuar në Olten të Zvicrës, ndërsa motra e saj më e vogël ishte në vitin e dytë të përgatitjes profesionale. Ato ishin në kulmin e jetës së tyre dhe e donin jetën. Fatkeqësisht, ishte shumë e shkurtër për to, na mungojnë shumë.” – ka deklaruar ai për mediat zvicerane.
Detajet e aksidentit tragjik
Sipas autoriteteve atje, më 20 qershor, pak pas orës 11:30, pranë zonës së pushimit Renchtal, ndodhi një përplasje anësore mes dy veturave gjatë një manovre për ndërrimin e korsisë nga ajo e mesme në të majtën.
Për shkak të shpejtësisë së lartë, të dy drejtuesit humbën kontrollin mbi automjetet e tyre, të cilat përfunduan të ndaluara në rrugë. Njëri nga të përfshirët në aksident pësoi lëndime të rënda.
Pengesat e krijuara në rrugë nga aksidenti i parë detyruan drejtuesit e automjeteve që po vinin pas të frenonin fuqishëm. Si pasojë, pranë daljes së Appenweier ndodhi një tjetër aksident i rëndë, ku u përfshinë gjithsej pesë automjete.
Ndërsa pasagjerët dhe drejtuesit e katër prej pesë veturave nuk u lënduan, për dy gra që udhëtonin në një veturë tip Smart nuk pati mundësi shpëtimi. Ato humbën jetën në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të rënda”, raportoi Blick.
Policia e Offenburgut ka konfirmuar se viktimat ishin dy shtetase zvicerane, si dhe automjeti me të cilin ato udhëtonin ishte i regjistruar në Zvicër.
Dëmi material i shkaktuar nga aksidentet vlerësohet të jetë mbi 100 mijë euro.

