Collina pret në takim Pullan, riafirmohet angazhimi i KFOR-it
Zëvendëskomandanti i KFOR-it, Federico Collina, priti në takim gjeneralmajor Mark Pullan CBE, drejtor i divizionit të operacioneve dhe planifikimit të shtabit ushtarak ndërkombëtar të NATO-s.
Takimi u mbajt në selinë e KFOR-it në kampin “Film City”, transmeton IndeksOnline.
Në njoftim bëhet e ditur se takimi u përqendrua në situatën e sigurisë rajonale, dhe Collina riafirmoi angazhimin e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në një mënyrë të paanshme dhe transparente.
“Zëvendëskomandanti i KFOR-it gjithashtu përshkroi aktivitetet e vazhdueshme të KFOR-it dhe prioritetet kryesore në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë” deklaron KFOR-i.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

