Zëvendësministri Ahmeti takohet me zyrtarë gjermanë, fokus bashkëpunimi dhe integrimi euroatlantik
Përgjatë qëndrimit të tij në Berlin, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, zhvilloi takim me drejtorin e përgjithshëm për Evropën në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Christoph Israng, si dhe me deputetët e Bundestagut, Peter Beyer dhe Boris Mijatović, anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme.
Në takimin me Israng u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet aktuale politike dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, me theks të veçantë në organizimin e konsultimeve të para politike ndërmjet dy vendeve.
Në takime të ndara me deputetët Beyer dhe Mijatović, zëvendësministri Ahmeti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës dhe theksoi përkushtimin e vendit për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamje mbi zgjerimin e BE-së, zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon dhe Evropë, si dhe rëndësinë e mbështetjes për agjendën euroatlantike dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

