Shtyhet seanca ndaj Ilir Metës, ish-presidenti kërkon ekspertizë të pavarur financiare
Është shtyrë për në 9 korrik seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit, Ilir Meta, i cili gjatë fjalës së tij në gjykatë kërkoi kryerjen e një ekspertize të pavarur financiare për pasuritë dhe të ardhurat e tij.
“Kërkoj një ekspertizë të pavarur, duke përdorur metodologjinë e përdorur për prokurorët e gjyqtarët nga vettingu. Jam Ilir Meta. Emri im është fuqia ime. Nuk kam cenuar kurrë interes kombëtar, publik apo personal të askujt. Kam njohur vetëm rrogën e shtetit dhe edhe atë e kam depozituar në shtëpi. Kërkoj ekspertizë individuale dhe si familjar për periudhën që kam qenë bashkëshort. Të shihet çdo e ardhur e ligjshme qe kam pasur, e që rezulton në dokumentet e shtetit”, deklaroi ai para gjykatës.
Meta deklaroi se deri javën e ardhshme do të rakordohet me avokatin për ndarjen e dëshmitarëve sipas episodeve të çështjes. Ai ngriti dyshime mbi mënyrën e llogaritjes së pasurive të tij dhe theksoi se gabimet e konstatuara nuk janë të rastësishme.
“Gabimet e bëra në llogaritjen e pasurive nuk janë rastësi. Ekspertiza financiare ndaj meje nuk është rastësi. Edhe fakti që kam bërë kallëzim për rrëmbimin tim dhe ende sot nuk jam pyetur, nuk është rastësi”, u shpreh Meta.
Ish-presidenti kërkoi që për rastin e tij të përdoret e njëjta metodologji që është aplikuar gjatë procesit të vettingut për prokurorët dhe gjyqtarët.
“Kërkoj që metodologjia që është përdorur për prokurorët, të bëhet edhe për mua. Unë kam qenë deputet, në rrogat më të larta të shtetit që 22 vjeç. Unë kam qenë ministër i jashtëm. Kam qenë të paktën 300 ditë jashtë shtetit, kam marrë shumë dieta. Mora një përgjigje: Nuk janë llogaritur dietat, se dietat i merr për t’i shpenzuar. Është absurde t’i thuash një ministri të jashtëm, që e presin me shoqërues, me dreka darka zyrtare, që i ke shpenzuar. Është absurde kur ti del jashtë vendit si president, ku sapo zbret, të pret Secret Servise dhe gjithçka tjetër është e paguar, të pretendosh se duhet të shkosh në dyqan t’i shpenzosh”.

