Katër muaj burgim me kusht për të akuzuarin që kanosi gazetarin
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 4 muaj burgim me kusht, me periudhë verifikuese prej 1 viti, si dhe me dënim plotësues – ndalim prej 6 muajsh të qasjes në mediat sociale – Agron Kyçykun, për shkak të kanosjes ndaj gazetarit Ardit Kika.
Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjykatësi Driton Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Para shpalljes së aktgjykimit, Kyçyku pranoi fajësinë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e shtetit, Arta Cukaj.
“E pranoj dhe shpreh keqardhje. Ju kërkoj falje të gjithëve dhe personit për shqetësimin”, tha Kyçyku.
Mbrojtësi i Kyçykut, Bedri Abdullahu, paraprakisht tha se gjykata, me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, të marrë parasysh pranimin e fajësisë, shprehjen e keqardhjes dhe rrethanat familjare.
Në anën tjetër, i dëmtuari Kika tha se gjykata duhet të ketë parasysh se i akuzuari ende nuk e ka fshirë komentin që është konsideruar kanosës, çka i akuzuari tha se ndodh për shkak se nuk po mund ta gjejë faqen për ta fshirë.
Sipas Prokurorisë, më 22.01.2026, rreth orës 22:00, në Prishtinë, i pandehuri Agron Kyçyku seriozisht e ka kanosur gazetarin Ardit Kika të kompanisë “Koha” në KTV, me qëllim të frikësimit, ashtu që përmes Facebook-ut i ka shkruar fjalët: “kta i ndalë likuidimi në emër të popullit, boll i duruam mo, hala ju i pas varret e freskëta nga lufta, merre me mend këta punojnë për shkë e rusi, Amerika po na armatos dhe mundohet që sa më shpejtë me na anëtarësu në NATO – e mediat tona merre me mend çfarë dezinformata shpifin, klm”, me çka te i dëmtuari – gazetari Ardit Kika – është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetë.
Prandaj, për këto veprime, Kyçyku ngarkohet me veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

