Zjarri në një ndërtesë banimi në Prishtinë, tre persona marrin trajtim mjekësor
Tre persona kanë marrë trajtim mjekësor si pasojë e një zjarri që ka përfshirë një ndërtesë banimi në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë.
Lajmin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas Ahmetit, rasti është raportuar rreth orës 07:30, ndërsa menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ekipet e emergjencës mjekësore dhe zjarrfikësit, të cilët po merren me menaxhimin e situatës.
“Sot rreth orës 07:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një ndërtesë banimi në rrugën ‘Isa Kastrati’ në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policia, ekipet mjekësore dhe zjarrfikësit, të cilët po merren me rastin. Bazuar në të dhënat e deritanishme, tre persona janë trajtuar nga ekipet mjekësore”, ka deklaruar Ahmeti për IndeksOnline.
Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen, ndërsa autoritetet kompetente po vazhdojnë hetimet.
Më poshtë mund të shihni pamje nga vendi i ngjarjes./IndeksOnline/

