75 Mall Live Search
10:47 / E Shtunë, 27 Qershor 2026 / F.R

Tentoi të përplaste me veturë vjehrrën, arrestohet 28-vjeçari në Lezhë

Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi dyshohet se ka tentuar të vrasë nënën e bashkëjetueses së tij duke e goditur me automjet.

Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:05 të së shtunës, në lagjen “Skënderbeg” në Lezhë. I riu, i identifikuar me inicialet C. B., banues në Tiranë, dyshohet se fillimisht ka shkuar për të marrë bashkëjetuesen e tij, por në atë moment kanë dalë familjarët e saj. Për motive që lidhen me konfliktet familjare, ai dyshohet se ka përplasur me automjet nënën e saj, K. H., 43 vjeçe, duke i shkaktuar dëmtime trupore, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Falë reagimit të shpejtë të Policisë së Lezhës dhe operacionit të koduar “Reagimi”, i dyshuari është lokalizuar, kapur dhe arrestuar.

E dëmtuara është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor.

Policia ka sekuestruar automjetin e përdorur në ngjarje si provë materiale, ndërsa ndaj 28-vjeçarit rëndon akuza për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, e mbetur në tentativë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë për veprime të mëtejshme.