Halili: Prishtina mbetet qyteti më i shtrenjtë për banesa
Eksperti i patundshmërisë, Burim Halili, ka vlerësuar se rritja prej 5.3 për qind e çmimeve të pronave të banimit në Kosovë, për tremujorin e parë të vitit 2026, nuk e pasqyron gjendjen reale të tregut.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Halili tha se ky tremujor ka qenë periudha me stabilitetin më të madh pas një faze të gjatë të rritjes së çmimeve.
“Sa i përket ngritjes së çmimeve e kemi parë që janë nxjerrë disa statistika, por ngritja e çmimeve ka filluar sidomos nga fillimi i vitit 2024, mendoj që tremujorshi i fundit është një tremujorsh që ka stabilitetin më të madh gjatë gjithë kësaj kohe që kemi pasur ngritje të vazhdueshme, sepse çmimet në Prishtinë, po edhe kudo në Kosovë kanë arritur deri në 70-80% ngritje, brenda dy vite e gjysmë. Po e zëmë, nëse bëjmë krahasime edhe të lagjeve të ndryshme, duke filluar nga lagjja Pejton, Lakrishtë, Muhaxherët, Arbëria, dikur çmimet kanë qenë rreth 1000 e pak, ndërsa tani çmimi tek to ka shkuar mesatarisht rreth 2000 për metër katror”, tha ai.
Ai theksoi se ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rritje janë lufta në Ukrainë, e cila ka rritur koston e materialeve të ndërtimit, si dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
“Faktorët që kanë ndikuar jashtëzakonisht në ngritjen e çmimeve janë edhe prej 2024 kur ka filluar lufta mes Ukrainës dhe Rusisë, për shkak se duke pasur parasysh edhe armaturë dhe shumë produkte janë transportuar në Kosovë nga jashtë edhe ato kanë ngritur çmime, është ngritur çmimi i tyre. E tani, njëkohësisht edhe heqja e vizave për qytetarët kosovarë ka ndikuar shumë, sepse një pjesë, klasë, kategoria e kosovarëve që kryesisht shkojnë edhe punojnë në aspekte sezonale në Evropë, është një kategori që punojnë në fushën e ndërtimtarisë edhe ata të tjerë, normal që kanë paga më të mira, më të njëjtit nuk punojnë në Kosovë, për pagat që kanë punuar më herët”, u shpreh ai.
Ai shtoi se edhe diaspora ka ndikim të konsiderueshëm në tregun e patundshmërive.
“Diaspora ndikon afërsisht 30%, kryesisht ndikon edhe në ngritjen e çmimeve, për shkak që e dimë se diaspora tek ne në Kosovë sjell shumë të konsiderueshme monetare me cash, jo përmes transfereve bankare, e pastaj edhe kjo po ndikon pak në ngritjen e çmimeve”
Sa i përket çmimeve sipas qyteteve, Halili tha se Prishtina vazhdon të ketë tregun më të shtrenjtë të banesave, e ndjekur nga Prizreni dhe Peja.
“Më të shtrenjtat çmime momentalisht i ka Prishtina, pas Prishtinës vjen Prizreni, pas Prizrenit vjen Peja, pastaj vijnë qytetet e tjera, si mesatarisht Gjilani, Gjakova, Fushë Kosova, e të tjerat”, tha ai.
Ndërsa, tha se zonat më të shtrenjta në Prishtinë janë “Lakrishta” dhe “Lagjja e Muhaxherëve”, ndërsa më të lirat “Prishtina e Re” dhe “Matiqani.
“Momentalisht në Prishtinë, pjesa e cila është në ndërtim e sipër, në konstruktim, është pjesa e Lakrishtes, që çmimi aty është afërsisht te 2500, te banesat të cilat janë afër përfundimit, ndërsa ato të cilat janë në proces të ndërtimit mundet me u ble edhe me 2000 euro metri katror, pastaj ndjeket nga Lagjja e Muhaxherëve, e cila ka çmimin, pjesa e parë e lagjes te 2000, ndërsa te pjësa e Matiqanit, Bregut të Diellit te 1500, pastaj vjen lagjja Tophane, e cila është afër qendrës që mesatarisht çmimin ka 1700-1800, kryesisht varet prej cilësisë së ndërtuesve.
Më e lirë, është pjesa Prishtina e Re, zona e Matiqanit lartë edhe lagjja Kodrina, ato zona mund të themi që çmimet variojnë mesatarisht nga 1000 deri 1300, varet prej ndërtuesit, por kemi raste kur ende mund të marrim çmim nën 1000 euro”, theksoi ai.
Duke komentuar të dhënat e ASK-së, Halili tha se nuk pajtohet me vlerësimin për rritje prej 5.3 për qind.
“Rritja ka filluar nga viti 2024, por në atë kohë kemi pasur disa blerës që kanë blerë me çmime më të lira dhe nuk kanë qenë updated me ngritjen e çmimeve dhe ende ka pasur mundësi blerësi me ble edhe lirë. Ndërsa, në vitin 2025, pothuajse vetëdijësimi i të gjithë blerësve është bërë 90%, që çmimet të jenë ngritur tashmë dhe nuk kemi kohë më që të presim për çmime më të lira. Ndërsa, 2026 dhe ky gjashtëmujorshi i 2026-së nuk është që ka ndonjë ngritje, e cila përpos ngritjes që në tregun e patundshmërisë është një ngritje afërsisht 0.7-8% deri në 1% në suaza mujore, gjatë gjithë kohës nëse e marrim prej pasluftës deri më tani ka ndodhur ajo ngritje.
Ngritja këtu është vetëm të ngritja e rregullt, ndërsa ngritja e pretenduar 5.5% unë mendoj që nuk qëndron, afërsisht në këtë gjashtëmujorsh, mund të them se afërsisht kemi ngritje në suaza normale 0.7-0.8″, deklaroi ai.
Halili shtoi se çmimet në tregun e patundshmërive përcaktohen nga raporti ndërmjet ofertës dhe kërkesës, duke theksuar se shteti nuk mund të ndërhyjë në përcaktimin e tyre.
“Kosova ka ekonomi të rregullt të tregut, shteti nuk mund të ndërhyjë të kontrollojë çmimet, çmimi varion varësisht nga ajo që ofrohet dhe nga oferta dhe kërkesa. Në rast se oferta është më e vogël se kërkesa, normal që çmimet ngriten, në rast se bie kërkesa dhe oferta është më e madhe, pastaj çmimet ndikon që të ulen”, tha Halili.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Pronave të Banimit për tremujorin e parë të vitit 2026, duke evidentuar një rritje të vazhdueshme të çmimeve në tregun e banesave në vend.
Sipas të dhënave zyrtare, çmimet e pronave të banimit në Kosovë janë rritur me 5,3% në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2025, është shënuar gjithashtu një rritje prej 2,4%.

