75 Mall Live Search
09:59 / E Enjte, 02 Korrik 2026 / MSH1

SHBA-ja e shpall “terroriste” një bandë nga Ekuadori

Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur bandën kriminale ekuadoriane “Chone Killers” si organizatë të huaj terroriste, duke vendosur sanksione të reja ndaj grupit që Uashingtoni e akuzon për sulme të shumta ndaj civilëve dhe zyrtarëve publikë në Ekuador.

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio deklaroi se grupi është përfshirë gjithashtu në listën e “Terroristëve Globalisht të Përcaktuar” (SDGT). Sipas tij, “Chone Killers ka kryer sulme të shumta duke shënjestruar civilë, forca të rendit dhe zyrtarë qeveritarë, përfshirë atentate të profilit të lartë ndaj figurave publike”.

Ky vendim vjen si pjesë e një strategjie më të gjerë të administratës amerikane nën presidentin Donald Trump për të goditur krimin e organizuar dhe trafikun e drogës në Amerikën Latine. Në këtë kuadër, SHBA-ja ka shpallur më herët si organizata terroriste edhe grupe të tjera kriminale, përfshirë bandën venezueliane Tren de Aragua dhe kartelin meksikan Sinaloa Cartel.

Sipas Rubios, këto grupe bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në trafikun ndërkombëtar të drogës, duke krijuar rrjete që financojnë aktivitete kriminale dhe dhunë të përhapur në rajon. Ai i quajti këto struktura “narko-terroriste”, duke theksuar se qëllimi i SHBA-së është ndërprerja e financimit të tyre dhe forcimi i sigurisë në hemisferën perëndimore.

Qeveria e Ekuadorit e ka mirëpritur vendimin e SHBA-së. Ministria e Jashtme e vendit deklaroi se ky hap tregon mbështetje të fortë për luftën e presidentit Daniel Noboa kundër organizatave kriminale. Noboa karmarrë masa të ashpra në vend, përfshirë vendosjen e shtetrrethimeve dhe dislokimin e ushtrisë në disa provinca, në përpjekje për të frenuar dhunën e bandave.

Kjo situatë vjen në një moment kur Ekuadori po përballet me rritje të dhunës së lidhur me trafikun e drogës, ndërsa grupet kriminale luftojnë për kontrollin e rrugëve të transportit drejt SHBA-së dhe Evropës.