75 Mall Live Search
13:14 / E Enjte, 02 Korrik 2026 / S Z

“Babën dhe vëllanë i ka prek pak, djalin e ka mbyt n’vend”, flet bashkëfshatari i 26-vjeçarit që u vra nga rrufeja

Një 26-vjeçar ka humbur jetën të mërkurën pasdite, pasi dyshohet se u godit nga rrufeja në një zonë malore mes bjeshkëve të Bukoshit dhe Dellocit, në Komunën e Suharekës.

Bashkëfshatari i viktimës, Urim Ndrecaj, ka treguar se i riu ndodhej në pyll së bashku me babanë dhe vëllanë e tij, kur zona u përfshi nga reshje të dendura shiu.

Sipas tij, rrufeja goditi papritur, duke i lënë të lënduar edhe babanë dhe vëllanë e viktimës.

“Po ata djemtë, për fat të keq, kanë qenë në pyll me babën dhe vëllanë. Aty i ka zënë shiu. Ka qenë një shi shumë i madh dhe, papritmas, ka rënë rrufeja. E ka goditur djalin, por edhe babën dhe vëllanë. Ata i ka prekur pak, por jo në atë gjendje sa djalin, të cilin e ka mbytur në vend”, ka deklaruar Ndrecaj.

Ai ka shtuar se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor, por nuk ka informacion se në cilin spital janë transportuar apo për natyrën e lëndimeve të tyre.

Ndrecaj bëri të ditur gjithashtu se, për shkak të terrenit të vështirë, bashkëfshatarët kanë ndihmuar në nxjerrjen e viktimës dhe të lënduarve nga vendi i ngjarjes, deri në pikën ku kanë mundur të afrohen ekipet e policisë dhe ndihmës së shpejtë.

“Pastaj kanë ardhur policia dhe ndihma e shpejtë deri aty ku kanë mundur të futen, sepse terreni nuk ka qenë i përshtatshëm. Bashkëfshatarët tanë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, i kanë nxjerrë nga aty dhe i kanë sjellë deri në pikën ku kanë mundur të afrohen ekipet e emergjencës”, ka bërë të ditur ai.

I pyetur për vendin e saktë ku ka goditur rrufeja dhe lëndimet e pësuara nga viktima dhe familjarët e tij, Ndrecaj tha se nuk ka informacion të detajuar./teve1.info/