Fillojnë punimet për asfaltimin e shtigjeve për këmbësorë dhe biçikleta përgjatë rrugës së tranzitit Podujevë–Merdare
Komuna e Podujevës ka nisur punimet për asfaltimin e shtigjeve anësore për këmbësorë dhe biçikleta përgjatë rrugës së tranzitit Podujevë–Merdare, në zonën e Zonës Industriale.
Sipas njoftimit të komunës, projekti përfshin asfaltimin e dy shtigjeve, në anën e majtë dhe në anën e djathtë të rrugës, në një gjatësi prej 950 metrash.


Ky intervenim synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore, rritjen e sigurisë në komunikacion, si dhe krijimin e kushteve më të mira për lëvizjen e këmbësorëve dhe çiklistëve.


Nga Komuna e Podujevës bëhet e ditur se punimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me asfaltimin e segmenteve të tjera rrugore në lokalitete të ndryshme të komunës, në kuadër të investimeve të vazhdueshme në përmirësimin e infrastrukturës rrugore.





