FSK-ja u angazhua në gjetjen e trupit të tij në Batllavë, Maqedonci viziton familjen e Lirimit Ruhanit
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka vizituar sot për ngushëllime familjen Ruhani, pas humbjes tragjike të djalit të tyre, Lirimit, në liqenin e Batllavës.
Përmes një postimi, Maqedonci tha se ka shprehur dhimbjen dhe solidaritetin e tij me familjen, duke u përcjellë atyre ngushëllimet në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe në emrin e tij personal.
“Lutem që Zoti t’ua lehtësojë dhimbjen dhe t’u japë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, ka shkruar ai.
Sipas Maqedoncit, gjatë vizitës familja Ruhani ka shprehur mirënjohje dhe vlerësim të lartë për angazhimin profesional dhe human të njësive të zhytjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilat kontribuan me përkushtim dhe profesionalizëm në nxjerrjen e trupit të të ndjerit.

