75 Mall Live Search
18:49 / E Premte, 03 Korrik 2026 / MSH1

Vihet gurthemeli i Qendrës së re Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kastriot

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në vënien e gurthemelit të Qendrës së re Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kastriot, projekt në vlerë 2.7 milionë euro.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se komuna e Kastriotit për gati tri dekada të pasluftës e ka pritur një investim të këtillë, me infrastrukturë moderne, por edhe pajisje të teknologjisë shëndetësore, të cilat do të mundësojnë kushte të dinjitetshme për stafin shëndetësor dhe pacientët që do të kenë nevojë të vijnë këtu.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të vazhdojnë investimet në shëndetësi dhe synimi ynë është një sistem shëndetësor më i fortë, më cilësor dhe më i qasshëm për çdo qytetar. Urime Kastriotit për këtë ditë të rëndësishme!”, tha kryeministri.

Prononcimi i plotë i Kurtit:

Porsa pamë projektin, i cili na dëshmon se sa moderne do të jetë Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare këtu në Kastriot. Mësuam edhe që sipërfaqja e gjithmbarshme do të jetë 2250 metra katrorë dhe se punimet nga dita e sotme kur po e vendosim gurthemelin do të përfundojnë më së largu brenda 2 viteve.

Pra, në fillimverën e vitit 2028, është afati i fundit kur do të jetë e përmbyllur realizimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq. Më shpejt se kaq bën, më shumë nuk bën. Dhe, e falënderojmë operatorin ekonomik që do të punojë me dinamikë të shtuar në mënyrë që gjithçka të bëhet sa më shpejtë, meqenëse tepër gjatë për gati tri dekada Komuna e Obiliqit, në Kosovën e pasluftës, e ka pritur një ndërtim të këtillë, i cili do të përbëhet edhe prej infrastrukturës moderne, por edhe prej pajisjeve të teknologjisë shëndetësore të cilat do të mundësojnë kushte të dinjitetshme për stafin shëndetësor në njërën anë, por gjithashtu edhe mundësi për shërim sa më të shpejtë e më të plotë për pacientët që do të kenë nevojë të vijnë këtu.

Kujdesi parësor qysh e dimë të gjithë është porta e parë e sistemit shëndetësor. Pikërisht këtu qytetarët e marrin ndihmën e parë, këshillën e parë dhe mbështetjen e parë.

Prandaj, edhe cilësia e këtij niveli të kujdesit ka ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e shëndetin e qytetarëve, por gjithashtu edhe në besimin e tyre në institucionet e komunës e të shtetit.

Po nis faza e parë. Kjo fazë do të jetë përafërsisht 90 ditë dhe vlera është rreth 370 mijë euro. Ndërkaq projekti në total do të kushtojë 2.7 milionë euro.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të vazhdojnë investimet në shëndetësi dhe synimi ynë është një sistem shëndetësor më i fortë, më cilësor dhe më i qasshëm për çdo qytetar.

Urime Kastriotit për këtë ditë të rëndësishme!