Van Dijk në shitje, pritet të largohet nga Liverpuli
Liverpool është i gatshëm të dëgjojë oferta serioze për kapitenin Virgil van Dijk gjatë kësaj vere, pasi mbrojtësi holandez nuk konsiderohet më i paprekshëm në planet e klubit.
Sipas raportimeve, drejtuesit e “The Reds” nuk kanë ndërmend ta nxjerrin në shitje 34-vjeçarin, por janë të hapur të shqyrtojnë çdo ofertë që vlerësohet e përshtatshme, nëse një e tillë mbërrin gjatë afatit kalimtar, shkruan IndeksOnline.
Interesimi për Van Dijk nuk mungon. AC Milan ka bërë tashmë kontaktet e para për të mësuar më shumë rreth situatës së mbrojtësit, ndërsa klube nga MLS,Arabia Saudite, si edhe gjigantët turq Galatasaray dhe Fenerbahçe, po monitorojnë me kujdes situatën.
Në anën tjetër, edhe vetë Van Dijk pritet të vlerësojë çdo propozim serioz që mund t’i paraqitet, ndërsa e ardhmja e tij në “Anfield” mbetet e hapur për diskutim në rast të një oferte bindëse.
Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e njërit prej mbrojtësve më të mirë të dekadës së fundit./IndeksOnline/

