Vetëm një njeri mund të më japë këshilla”/ Ancelotti habit me deklaratën, zbulon emrin e trajnerit që respekton mbi të gjithë
Carlo Ancelotti ka bërë një deklaratë që ka tërhequr vëmendjen e botës së futbollit, duke pranuar se vetëm një trajner në histori e tejkalon atë për nga përvoja dhe se është i vetmi person nga i cili do të pranonte këshilla pa hezitim.
Tekniku italian, një nga trajnerët më të suksesshëm të të gjitha kohërave, zbuloi se ka përgatitur mbi 1,400 ndeshje gjatë karrierës së tij, duke theksuar se kjo i ka dhënë një përvojë të jashtëzakonshme, shkruan IndeksOnline.
“Jam përgatitur për më shumë se 1,400 ndeshje. Ndoshta kjo nuk mjafton për ta kuptuar plotësisht futbollin, por sigurisht që është një përvojë shumë e madhe”, u shpreh Ancelotti.
Megjithatë, italiani pranoi se ekziston vetëm një emër që e konsideron mbi veten për sa i përket përvojës në stol. Bëhet fjalë për legjendën e Manchester United, Sir Alex Ferguson.
“Vetëm një person ka përgatitur më shumë ndeshje se unë: Alex Ferguson, i cili ka përgatitur mbi 2,000 ndeshje. Marr këshilla nga të gjithë, por i vetmi që mund të jetë vërtet personi i duhur për të më dhënë këshilla është Alex Ferguson”, deklaroi Ancelotti.
Fjalët e trajnerit italian janë interpretuar si një shenjë e respektit të jashtëzakonshëm për Sir Alex Ferguson, i konsideruar gjerësisht si një nga trajnerët më të mëdhenj në historinë e futbollit./IndeksOnline/

