Arrestimi i Osman Selmanit në Serbi, avokati Koci: Kudo që ka nevojë, do të jem me ekspertizën time profesionale juridike
Avokati i njohur, Arianit Koci, i është përgjigjur pozitivisht rastit të Osman Selmanit, i cili u arrestua në Serbi, nën pretendimet se ka kryer krime lufte.
Në një deklaratë për IndeksOnline, avokati Koci ka riafirmuar se, rëndon si shumë hera të kaluara, edhe tani do të jetë në shërbim të qytetarëve që përballen me akuza të tilla.
“Familja e të arrestuarit tashmë më ka kontaktuar. Çdo informatë që është për publikun, do ta plasoj. Besoj që e dini se këto çështje janë shumë sensitive.
Osmani Selmani nuk ka asnjë lidhje me veprën për të cilën dyshohet. Akuzat ndaj tij janë të pabazuara dhe absurde. Për më tepër, në periudhën që përmendet në dyshim, ai nuk ka qenë fare në Kosovë” ka thënë Koci.
Prandaj, avokati konfirmoi se kudo që të lindë nevoja, ai do të jetë me ekspertizën e tij profesionale juridike.
Koci bëri me dije se kohëve të fundit ka pranuar shumë ankesa nga shqiptarë të Kosovës, që po hasin në aktivitet të shtuar të policisë serbe.
“Për më tepër, kohëve të fundit, në baza ditore po pranoj ankesa dhe informata nga qytetarë shqiptarë të Kosovës që janë në transit nëpër Serbi, lidhur me aktivitetin e shtuar të policisë dhe prokurorisë serbe” tha ai.
Me këtë rast, Koci ka një thirrje për institucionet.
“Në anën tjetër, shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe gjithë Qeverisë së Kosovës që ta rrisin kujdesin, angazhimin dhe praninë institucionale për mbrojtjen e interesave të ligjshme të qytetarëve të Kosovës që hasin në telashe në Serbi” deklaroi avokati Koci.
Osman Selmani u arrestua më 1 korrik në pikën kufitare Mutivodë, derisa po kthehej nga vendlindja.
Prokuroria për Krime Luftë në Beograd rekomandoi t’i caktohet një muaj paraburgim, rekomandim ky i miratuar nga Gjykata serbe.
Ndonëse shteti serb pretendon se Selmani ka kryer krime lufte, një gjë të tillë e mohon familja e tij.
Madje, Organizata e Veteranëve të Luftës e UÇK-së dje pohoi se Osman Selmani nuk ishte pjesë e ushtrisë dhe as nuk figuron në regjistrat e veteranëve të luftës.
“Lidhja e tij me UÇK-në është e pabazë dhe e motivuar politikisht, asgjë më tepër.
Kërkojmë që institucionet e Kosovës të veprojnë pa vonesë. Çdo qytetar që u nënshtrohet këtyre procedurave ligjore të motivuara politikisht meriton mbrojtje të plotë konsullore dhe ligjore, dhe Republika e Kosovës ka edhe detyrimin për ta ofruar atë” deklaroi dje, OVL-UÇK./IndeksOnline/

