75 Mall Live Search
17:59 / E Shtunë, 04 Korrik 2026 / MSH1

Rozeta Hajdari: Reformat në tregun e naftës nuk ndalen nga shpifjet, do t’i ndjekim rrugët ligjore

Ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka reaguar ndaj, siç i ka quajtur ajo, “fushatës së koordinuar të shpifjeve” nga disa portale, duke mbrojtur reformat e ndërmarra gjatë mandatit të saj në sektorin e tregtimit të produkteve të naftës.

Përmes një postimi publik, Hajdari ka thënë se sulmet ndaj reformave vijnë nga grupe që, sipas saj, kanë përfituar për vite me radhë nga mungesa e kontrollit, konkurrencës dhe mbikëqyrjes shtetërore.

Sipas Hajdarit, pretendimet se janë larguar trupat inspektuese nuk qëndrojnë, pasi produktet e importuara vazhdojnë të kontrollohen nga Dogana e Kosovës, ndërsa mostrimi kryhet nga trupat për vlerësim të konformitetit të autorizuar.

Ajo shtoi se testimi i cilësisë realizohet në laboratorin shtetëror të Doganës së Kosovës, të cilin e cilësoi si laborator modern dhe të akredituar.

“Faktet kundër shpifjeve të ulëta, janë të qarta. Pretendimet e publikuara nga disa portale për kinse “largimin e trupave inspektuese” nuk qëndrojnë. Sepse, e vërteta është plotësisht ndryshe: Sot, produktet e importuara të naftës, janë të kontrolluara nga Dogana e Kosovës, ndërsa mostrimi i këtyre produkteve të naftës nga importi në hyrje në Kosovë, vazhdon të kryhet nga trupat për vlerësim të konformitetit (TVK), të autorizuara sipas legjislacionit në fuqi.Ndërsa për tregun e mbrendshëm të produkteve të naftës, mostrat për testim të këtyre produkteve, merren nga inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut” u shpreh Hajdari.

Ky është postimi i plotë i saj:

Reformat në treg dhe sundimi i ligjit nuk ndalen nga shpifjet e atyre që mbrojnë monopolet e vjetra korruptive

Ditët e fundit kemi parë një fushatë të koordinuar shpifjesh nga portale që po përpiqen të mbrojnë interesat e grupeve të caktuara, duke keqinformuar opinionin publik për reformat ligjore që i sollëm përmes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), gjatë qeverisjes Kurti 2, të cilat rikthyen kontrollin dhe testimin e cilësisë së produkteve të naftës në përputhje me standardet më të larta të cilësisë.

Këto sulme nuk janë të rastësishme. Ato vijnë pikërisht sepse reformat tona që i sollëm po godasin interesat e atyre që për vite kanë përfituar nga mungesa e rregullit, konkurrencës dhe mbikëqyrjes shtetërore. ,Këto praktika kanë sjellë fitime të paligjshme dhe kanë krijuar skema monopoliste që, në thelb, kishin privatizuar funksione jetike të shtetit.

Me miratimin e Ligjit Nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme, që ishte për më shumë se 10 vite në pritje për miratim, kemi vendosur themelet e një tregu të rregulluar, transparent dhe konkurrues. Për herë të parë janë vendosur standarde të qarta për të gjithë zinxhirin e furnizimit – nga importi deri te shitja – në përputhje me standardet evropiane.

Një nga ndryshimet ligjore më të rëndësishme në këtë drejtim, është edhe Udhëzimi Administrativ (QRK) Nr. 05/2025, për mënyrën e emërimit të Trupave për Vlerësim të Konformitetit, i cili i dha fund praktikës së analizave të kryera me standarde të paunifikuara dhe me kosto të larta për bizneset.

Sot, vlerësimi i konformitetit kryhet vetëm nga trupa të akredituar (TVK) dhe nën mbikëqyrje institucionale.

Faktet kundër shpifjeve të ulëta, janë të qarta.

Pretendimet e publikuara nga disa portale për kinse “largimin e trupave inspektuese” nuk qëndrojnë.

Sepse, e vërteta është plotësisht ndryshe:

Sot,  produktet e importuara të naftës, janë të kontrolluara nga Dogana e Kosovës, ndërsa mostrimi i këtyre produkteve të naftës nga importi në hyrje në Kosovë, vazhdon të kryhet nga trupat për vlerësim të konformitetit (TVK), të autorizuara sipas legjislacionit në fuqi.

Ndërsa për tregun e mbrendshëm të produkteve të naftës, mostrat për testim të këtyre produkteve, merren nga inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.

Por, testimi i cilësisë së produkteve të naftës nga importi në hyrje në kufirin e Kosovës dhe në tregun e mbrendshëm, kryhet në laboratorin profesional, të akredituar dhe të pajisur me teknologjinë më moderne shtetërore në kuadër të Doganës së Kosovës. Ky laborator shtetëror që është më i pajisuri me shumë parametra për testim, merr pjesë në shumë aktivitete të Rrjetit të Laboratorëve Doganor të Evropës (CLEN).

Pra, i kemi dhënë fund praktikës që kontrolli i cilësisë të mbetej në duart e laboratorëve privat pa standarde të unifikuara, duke krijuar kosto të larta për bizneset dhe pasiguri për qytetarët, ndërkohë që laboratori i Doganës ishte lënë jashtë funksionit, përkundër investimeve kapitale në të, me miliona euro nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Reformat tona kanë dhënë rezultate konkrete:

98% e pikave të shitjes së produkteve të naftës janë të licencuara.

Kohëzgjatja për lejet dhe licencat për tregtinë me produkte të naftës, është zgjatur nga 2 në 6 vjet.

Tarifat për tregti me produkte të naftës janë ulur nga 500 deri në 5,000 sa ishin më parë, në 50 euro për të gjitha llojet e lejeve.

Testimet e cilësisë së produkteve të naftës kryhen në laboratorin shtetëror të Doganës, pa asnjë kosto financiare për bizneset.

Katër rafineri që nuk plotësonin standardet janë mbyllur.

Prandaj, ata që sot sulmojnë këto reforma duhet t’u përgjigjen qytetarëve:

1. Pse për më shumë se një dekadë nuk u miratua Ligji për Naftën?

2. Pse vetëm rreth 60% e pikave të shitjes së produkteve të naftës ishin të licencuara?

3. Pse kontrolli i cilësisë së produktevr të naftës ishte i pa unifikuar me standarde nga TVK-të private dhe me kosto të larta për bizneset?

Është po ashtu fakt se keqpërdorimet në sektorin e naftës janë objekt i proceseve gjyqësore, në vazhdim. Pikërisht për keqpërdorimet lidhur me mostrimin për testim të cilësisë së naftës, rishtazi është dënuar nga gjykata një nga ish-ministrat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

E sa i përket insinuatave për hetimet e fundit, i siguroj qytetarët se autoritetet tona kanë qenë  në kontroll të plotë të situatës. Nën udhëheqjen tonë, institucionet nuk kanë bashkëpunuar me kriminelët, por i kanë hetuar dhe arrestuar ata. Sundimi i ligjit që kemi ndërtuar garanton se asnjë qytetar nuk do të zhvatet më me procese të dyshimta e pagesa të larta e të paligjshme.

Reformat tona për një treg të rregullt, të sigurt dhe me standarde evropiane nuk kthehen prapa.

Draftet e finalizuara nga MINT, gjatë vitit 2025, në pritje për miratim në Qeveri dhe në Kuvend, të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-018  për Tregti me Produktet e Naftës dhe Karburantet e Ripërtritshme, së bashku me draftin e finalizuar të Udhëzimit Administrativ pêr Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, do të avancojnë tutje reformën në tregtimin dhe mbikëqyrjen e cilësisë së produkteve të naftës dhe karburanteve të ripërtërishme, me synim rritjen e sigurisë së konsumatorëve, uljen e produkteve të naftës jo-standard në treg, forcimin e konkurrencës së ndershme dhe përafrimin me standardet evropiane të cilësisë së produkteve të naftës.

Për çdo shpifje dhe dezinformatë që cenon punën e institucioneve dhe synon të mbrojë interesat e paligjshme, do të ndiqen rrugët ligjore.

Sepse interesi i qytetarëve dhe i Republikës së Kosovës është mbi çdo interes privat.