Surprizë në gjyqin ndaj kosovarit për sulm me thikë në Gjermani, autori del të jetë vëllai i tij që tash ndodhet në Kosovë
Dortmund/Hamm – Procesi për sulmin me thikë që rrezikoi jetën e viktimës para Vita-Bar në Hamm mund të përfundojë me një surprizë. Kur Gjykata e Krimeve të Rënda në Dortmund ta shpallë vendimin e saj në mesin e korrikut, i akuzuari nuk do të jetë më në paraburgim.
34-vjeçari nga Kosova ishte arrestuar në shtator – katër muaj pas sulmit me thikë para lokalit. Prokuroria e ka akuzuar për tentativë vrasjeje, por ndërkohë është bindur edhe vetë se nuk ishte ai autori i goditjeve me thikë, por vëllai i tij, shkruan mediumi gjerman WA.de.
Ky vëlla jo vetëm që i ngjan të akuzuarit aq shumë sa mund të ngatërrohen lehtësisht me njëri-tjetrin. Ai gjithashtu ia ka konfirmuar ndërkohë Gjykatës së Krimeve të Rënda se i akuzuari është i pafajshëm. Megjithatë, duke qenë se vëllai ndodhet sërish në Kosovë, ai nuk mund të vihet në dispozicion të drejtësisë gjermane.
SMS-ët tregojnë për një autor tjetër
Madje, një ditë pas sulmit me thikë, vëllai shkëmbeu disa mesazhe me një të afërme. Këto mesazhe u siguruan disa javë më parë nga telefoni i së afërmes dhe tani janë përkthyer. Edhe në to thuhet: “Kam bërë budallallëk. Kam goditur me thikë një kroat – rreth dhjetë herë”. Për këtë arsye, për Prokurorinë është e qartë se i akuzuari nuk mund të mbahet përgjegjës për goditjet me thikë që rrezikuan jetën e viktimës. Megjithatë, meqenëse ai gjatë përleshjes para Vita-Bar e kishte goditur disa herë viktimën me grushte, Prokuroria kërkoi që gjykata ta dënojë për lëndim trupor me një vit burgim me kusht.
Avokatja mbrojtëse, Ina Klimpke, në fjalën e saj përfundimtare shkoi edhe një hap më tej. Sipas saj, personi që më vonë u bë viktimë kishte qenë ai që kishte kërkuar i pari përballjen dhe klienti i saj vetëm ishte mbrojtur duke goditur. “Prandaj kërkoj shpalljen e pafajësisë”, tha Klimpke. Në rast se gjyqtarët megjithatë do të arrinin në përfundimin se ai duhet të dënohej për lëndim trupor, avokatja mbrojtëse e konsideroi të mjaftueshëm një dënim me katër muaj burgim me kusht.

