75 Mall Live Search
11:57 / E Hënë, 06 Korrik 2026 / G T

Zyrtare: Nottingham Forest emëron Oliver Glasnerin trajner të ri

Nottingham Forest ka zyrtarizuar emërimin e Oliver Glasnerit në postin e trajnerit të ri të skuadrës.

Klubi anglez e prezantoi strategun austriak si një nga trajnerët më të vlerësuar në futbollin evropian, duke vlerësuar aftësinë e tij për zhvillimin e lojtarëve, ndërtimin e skuadrave me stil sulmues dhe arritjen e sukseseve në nivelet më të larta.

Glasner vjen në “City Ground” me një CV mbresëlënëse, pasi është një nga trajnerët e paktë që ka fituar si UEFA Europa League ashtu edhe UEFA Conference League. Më parë ai udhëhoqi VfL Wolfsburgin drejt kualifikimit në Ligën e Kampionëve, ndërsa me Eintracht Frankfurt fitoi edicionin 2021/22 të UEFA Europa League, trofeu i parë evropian i klubit gjerman pas më shumë se katër dekadash.

Së fundmi, ai pati sukses edhe në futbollin anglez, ku fitoi FA Cup në sezonin e tij të parë të plotë në Premier League, më pas FA Community Shield dhe sezonin pasues triumfoi edhe në UEFA Conference League.

Pas prezantimit, Glasner u shpreh i lumtur që i është bashkuar Nottingham Forestit.

“Jam i lumtur që i bashkohem Nottingham Forest si trajner. Që nga bisedat e para me pronarin dhe drejtuesit e klubit, e kuptova se ekziston një vizion i qartë dhe besim i plotë ndaj meje dhe stafit tim për të ndërtuar një të ardhme të suksesshme. Nottingham Forest është një klub me histori të jashtëzakonshme dhe tifozë të mrekullueshëm. Objektivi ynë është të ndërtojmë një skuadër që do ta çojë klubin në një nivel edhe më të lartë”, deklaroi ai./Indeksonline/