75 Mall Live Search
20:53 / E Martë, 07 Korrik 2026 / MSH1

Fermerët e qumështit i reagojnë ashpër Adriana Matoshit: Tërhiqe fjalën “langareca”

Fermerët kosovarë të qumështit kanë reaguar ndaj deklaratës së deputetes së Adriana Matoshi, duke i kërkuar asaj të tërheqë fjalën “langareca”, me të cilën ajo i ka etiketuar fermerët që protestuan një ditë më parë.

Në reagimin e publikuar, fermerët thonë se deri më tani kanë zgjedhur të mos u përgjigjen akuzave që janë bërë ndaj tyre, por theksojnë se nuk mund të heshtin përballë deklaratës së deputetes.

“Ne si fermerë kemi vendosur që të mos i përgjigjemi askujt në lidhje me akuzat që po na bëhen, mirëpo nuk mund të rrimë duarkryq përballë akuzave të deputetes Adriana Matoshi, e cila po i quan ‘langareca’ ata fermerë që protestuan dje”, thuhet në reagim.

Fermerët vlerësojnë se një gjuhë e tillë nuk i ka hije askujt, aq më pak një deputeteje që përfaqëson qytetarët në Kuvend.

Ata i bëjnë thirrje publike Matoshit që ta tërheqë këtë deklaratë, duke theksuar se me fjalët e saj po “luan me djersën e shumë familjeve”.