75 Mall Live Search
11:20 / E Enjte, 09 Korrik 2026 / G T

Zyrtare: Albion Rrahmani transferohet te Venezia, firmos deri në vitin 2029

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani, është zyrtarisht futbollist i ri i klubit italian Venezia FC.

Klubi nga Serie A ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me Spartën e Pragës për transferimin e përhershëm të 24-vjeçarit, i cili ka nënshkruar kontratë deri më 30 qershor 2029, shkruan Indeksonline

Rrahmani e nisi karrierën te KF Minatori, ndërsa më pas shkëlqeu me FC Ballkanin, ku në 68 ndeshje realizoi 34 gola dhe dha nëntë asistime. Me kampionët e Kosovës ai debutoi edhe në garat evropiane, duke luajtur në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Konferencës.

Në verën e vitit 2023 ai u transferua te Rapid Bukureshti, ku regjistroi 18 gola dhe gjashtë asistime në një sezon të suksesshëm.

Një vit më vonë kaloi te Sparta e Pragës, ku zhvilloi 83 ndeshje, shënoi 26 gola dhe kontribuoi me gjashtë asistime në të gjitha garat.

Në arenën evropiane, Rrahmani numëron paraqitje në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Konferencës, ndërsa në kualifikimet e UEFA Conference League ka realizuar plot 12 gola në 14 ndeshje.

Që nga viti 2023 ai është pjesë e Kombëtares së Kosovës, me të cilën ka zhvilluar 25 ndeshje dhe ka shënuar shtatë gola.

Pas zyrtarizimit, Rrahmani u shpreh i lumtur për hapin e ri në karrierë.

“Venezia është një klub me histori të pasur dhe me një vizion shumë ambicioz për të ardhmen. Bisedat që zhvilluam më bindën për projektin e klubit. Të përfaqësosh një qytet kaq unik dhe të luash para tifozëve kaq të apasionuar është një motivim i madh. Te Sparta ndava dhomën e zhveshjes me Andersenin, i cili më foli shumë mirë për klubin dhe qytetin. Që nga dita e parë kam gjetur gjithçka ashtu siç ma përshkroi. Do të jap gjithmonë maksimumin dhe, së bashku me bashkëlojtarët, do të luftojmë në çdo ndeshje për të arritur objektivat dhe për t’u dhënë tifozëve sa më shumë arsye për t’u krenuar,” deklaroi Rrahmani./Indeksonline/