75 Mall Live Search
15:02 / E Enjte, 09 Korrik 2026 / S Z

Krasniqi: Kosova ka mjekë të aftë, por ka nevojë për reforma në sistemin shëndetësor

Kirurgu i njohur shqiptar në Gjermani, Dr. Halil Krasniqi, vlerëson se gjendja e përgjithshme shëndetësore në Kosovë nuk është aq e pafavorshme sa perceptohet shpesh, por thekson se sistemi shëndetësor ka nevojë për reforma të rëndësishme për t’iu afruar standardeve më të mira evropiane.

Në një intervistë për Indeksonline, ai thotë se shëndeti i popullatës lidhet ngushtë me stabilitetin ekonomik, shoqëror dhe politik të vendit.

“Kosova ka nevojë për përmirësime në sistemin e shëndetësisë, në shendetin e popullatës, në vetëdijësimin e popullatës, parandalimin e sëmundjeve. Trajtimi më i mirë është parandalimi, sesa trajtimi në spital. Andaj sistemi shëndetësor dhe shendetësia në Kosovë është në nivelet evropiane. Por se ka disa përmirësime të cilat janë të nevojshme për një qeverisje, për një funksion normal”, tha ai.

Sipas Dr. Krasniqit, fokusi duhet të zhvendoset nga trajtimi i sëmundjeve drejt parandalimit të tyre.

“Shumë pacientë kërkojnë ndihmë mjekësore vetëm atëherë kur sëmundja ka avancuar dhe janë paraqitur komplikimet. Trajtimi më i mirë është parandalimi. Kontrollat periodike, analizat rutinë dhe diagnostikimi i hershëm mund të shpëtojnë jetë dhe të shmangin trajtime shumë më të rënda.”

Ai veçon rëndësinë e kontrolleve preventive, veçanërisht pas moshës 55-vjeçare.

“Një vizitë pesëminutëshe te mjeku mund të parandalojë komplikime serioze. Prandaj qytetarët duhet të krijojnë kulturën e kontrolleve të rregullta, edhe kur nuk kanë simptoma.”

Me mbi 36 vjet përvojë profesionale në Gjermani, prej tyre 16 vjet në pozita drejtuese si shef dhe drejtor klinikash, Dr. Krasniqi thotë se modeli evropian mund të zbatohet edhe në Kosovë.

Ai shton se përveç pagave, rëndësi të madhe kanë edhe reformat strukturore, ku  çdo mjek të ketë mundësi për specializim cilësor, me pajisje moderne dhe organizim profesional.

“Së pari është e rëndësishme që popullata të ketë sigurim shëndetësor shtetëror. Pastaj që pacientet dhe popullata të lajmërohen me kohë në qendra familjare, mjekësore dhe nëse nuk ndijnë asnjë shqetësim shendetësor. Të organizohen kontrolle shterore dhe në qendra dhe spitale për kontroll të përgjithshme të popullatës, specializimi i mjekëve në spitale. Të iu ofrohet një paga e arsyshme mjekëve,  që të mos largohen nga shteti i vet. Të organizohen kushtet për spacializime, kushtete  e aparaturës mundësitë e spcialziimit të jenë adekuate”, thotë ai.

Duke krahasuar sistemin shëndetësor të Kosovës me atë gjerman, Dr. Krasniqi thekson se diferenca nuk qëndron tek niveli profesional i mjekëve.

“Duke e krahasuar ekspertizen apo aftësinë e mjekëve , s’ka ndryshim të madh. Neve në Kosovë na mungojnë strukturat, rregullorja e një studenti, specializanti, mjeku të lartë apo shefit të klinikës. Në këtë sistem luajnë rëndësi të madh isntitucionet në bashkëpunim me spitalet dhe mjekët që kanë ekspertizën. Neve na mungon një strukturë, ndryshim mentaliteti, një edukatë shendetësore  dhe mjekëve në përgjithësi por dhe pacientëve”, thotë ai.

Sipas tij, zhvillimi i sistemit është penguar edhe nga mungesa e stabilitetit institucional ndër vite.

“Me krijimin e qeverisë, me një stabilitet politik dhe shoqëror, jam optimist se situata shëndetësore në Kosovë do të përmirësohet. Edhe pse tani kemi një numër të madh të mjekëve jashtë vendit që do ta sjellin në Kosovë një mentalitet shendetësor, i cili është i njejtë si në evropë do të kemi një nivel me të lartë të shendetit. Është e nevojshme ta ndryshojmë këtë sistem”, tha ai.

Ai beson se mjekët shqiptarë që kanë ndërtuar karrierë jashtë vendit do të sjellin përvoja dhe standarde të reja evropiane.

Dr. Krasniqi tregon se, ndonëse prej dekadash jeton dhe punon në Gjermani, lidhjet me Kosovën nuk i ka shkëputur asnjëherë.

Ai shprehet i gatshëm të rikthehet dhe të kontribuojë drejtpërdrejt në zhvillimin e shëndetësisë kosovare.

“Jam çdo moment i gatshëm të rikthehem në Kosovë dhe të kontribuojë aq sa është e nevojshme  në sistemin shendetësor në Kosovë”, thotë Krasniqi./Indeksonline/