75 Mall Live Search
22:12 / E Enjte, 09 Korrik 2026 / Z S

Zbulohet testamenti i Valentino Garavanit! Kujt ia la pasurinë miliardere ikona e modës?

Edhe pas ndarjes nga jeta, stilisti legjendar Valentino Garavani vijon të jetë në qendër të vëmendjes. Zbulimi i testamentit të tij ka shkaktuar jehonë në botën e modës, pasi ai vendosi që pasuria e tij marramendëse të mos ndahet mes familjarëve, por të administrohet nga një fondacion i krijuar për të ruajtur trashëgiminë e tij artistike dhe financiare.

Valentino Garavani u nda nga jeta më 19 janar 2026, në moshën 93-vjeçare. Sipas mediave italiane, ai kishte përcaktuar si trashëgimtar universal fondacionin “Valentino Garavani, Giancarlo Giammetti Foundation”, me seli në Vaduz të Lihtenshtajnit.

Pasuria e stilistit përfshin vila luksoze, jahte, prona prestigjioze në disa vende të botës, koleksione arti, llogari bankare dhe asete me vlerë shumë të lartë.

Testamenti ishte hartuar që në mars të vitit 2023 pranë një noteri në Zvicër, ndërsa procedurat e trashëgimisë u finalizuan pas vdekjes së tij, duke treguar se gjithçka ishte planifikuar me kujdes.

Megjithëse fondacioni është përfituesi kryesor, Valentino ka lënë përfitime edhe për partnerin e tij Vernon Bruce Hoeksema, bashkëpunëtorin historik Giancarlo Giammetti, nipin Piero Villani, familjen e Carlos Souza-s, si dhe për disa organizata me karakter bamirës.

Mes pronave më të njohura që përfshihen në trashëgimi është edhe Château de Wideville, kështjella e shekullit XVI pranë Parisit, e cila pritet të shitet për të përmbushur detyrimet dhe dhurimet e përcaktuara në testament.

Në listën e aseteve bëjnë pjesë gjithashtu jahti luksoz TM BlueOne, Villa Letizia në Romë, një penthouse në New York, rezidenca në Holland Park të Londrës dhe Chalet Gifferhorn në Gstaad.

Me këtë vendim, Valentino Garavani zgjodhi të ruajë të bashkuar perandorinë që ndërtoi përgjatë dekadave, duke ia besuar administrimin një fondacioni që synon të mbrojë emrin dhe trashëgiminë e tij për brezat e ardhshëm.