Tragjedia në Gllogjan: Halil Mehmetaj akuzohet se i shtyu djemtë drejt vrasjes
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan i atribuon një rol të veçantë Halil Mehmetajt, i cili akuzohet për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.
Sipas aktakuzës së siguruar nga IndeksOnline, Halil Mehmetaj dyshohet se, në periudhën nga 14 qershori 2020 deri më 26 nëntor 2021, i ka shtyrë djemtë e tij, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, që ta vrisnin Gani Gjokajn, të cilin, sipas aktakuzës, e fajësonte për vetëvrasjen e vajzës së tij, Heroina Mehmetaj.
Në dokument thuhet se Halil Mehmetaj e kishte shprehur hapur bindjen se Gani Gjokaj ishte përgjegjës për vdekjen e vajzës së tij dhe se ishte betuar për hakmarrje.
Prokuroria përmend edhe ceremoninë e varrimit të Heroinës, ku, sipas aktakuzës, ai kishte vendosur orën e tij të dorës mbi arkivol, duke e cilësuar këtë si pjesë të rrethanave që lidhen me motivin e pretenduar, raporton IndeksOnline.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, kjo shtytje ka rezultuar me vrasjen e shoferit të autobusit Gani Gjokaj, por edhe me vrasjen e dy të miturve, Ledion Hamzaj dhe Genta Mustafaj, si dhe plagosjen e rëndë të Fliant Turkajt, ndërsa janë rrezikuar edhe pasagjerët e tjerë që ndodheshin në autobusin “Erblini” natën e 26 nëntorit 2021.
Për këto pretendime, Prokuroria e ka akuzuar Halil Mehmetajn për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”, ndërsa ndaj Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajt është ngritur aktakuzë për “Vrasje të rëndë” si bashkëkryerës.

